Aktualitet23 Shtator 2018, 11:16

Ngjela ‘shpërthen’ ndaj prokurorëve: Ikni vetë një orë e më parë, jeni në listën e zezë të SHBA! Arta Mar

Shkruar nga Pamfleti
Ngjela ‘shpërthen’ ndaj prokurorëve: Ikni vetë

Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ka komentuar me tone të ashpra situatën e rëndë që përfshiu dy ditë më parë Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ngjela ka dalë në mbështetje të kryeprokurores Arta Marku për lëvizjet e saj, duke shtuar se prokurorët janë të frikësuar.

“Nuk ka ngërç në prokurori. Arta Marku po del një grua shumë e fortë. Gjithë korrupsioni iu hodh kundër dhe më dha shpresën që kjo iu jep frikë. Tani kuptohet që kjo ka filluar goditjen. Po punon mirë. Krimi është i lirë. Unë do të them që prokurorët ose janë edhe vetë të lidhur me krimin, ose kanë frikë dhe janë në panik. Transferimet në fakt kanë të bëjnë me personalitetin e tyre”, deklaroi Spartak Ngjela për ‘Sot’.

Në vijim të deklaratës së tij, avokati theksoi se të tillë prokurorë duhet të largohen sa më parë. Sipas tij, ata janë futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës sepse nuk mundet që korrupsioni i lartë të hetohet prej tyre.

“Ata duhet të ikin vetë, janë piketuar nga SHBA, janë në listë të zezë sepse këta nuk mund të lejohen të gjykojnë korrupsionin e lartë. Unë nuk kam më besim tek kjo prokurori. Duhet të ikë një orë e më parë. Ju e dëgjuat se çfarë tha zëvendës ndihmës Sekretarja e Shtetit. Ajo tha që unë dua të ngrihen sa më parë SPAK dhe BKH. Lëre çfarë thonë këta veting në politikë. Unë di të them që janë mbi 100 persona që janë trajnuar dhe po trajnohen në Amerikë për BKH”, tha avokati.

Nga ana tjetër, Ngjela i lidhi vendimet e Arta Markut për transferim me krijimin e organeve të reja të drejtësisë. Sipas tij, me largimin e prokurorëve, Prokuroria e Krimeve të Rënda po kthehet në Prokurori të Posaçme.

“Do të kemi parasysh që do t’i qëndrojmë ligjit. Sipas ligjit organik, Prokuroria e Krimeve të Rënda kthehet në Prokurori Speciale që do të hetojë korrupsionin kryeministror. Kjo filloi, o do t’i heqin me veting, ose do të bëjnë kështu siç gjeti rastin kjo për t’i transferuar. Kjo është Prokuroria e Posaçme, është kthyer në një të tillë”, deklaroi Spartak Ngjela. Në fund, ai komentoi edhe akuzat e opozitës kundër Arta Markut, duke i cilësuar si një tregues frike.

Aktualitet Arta Marku prokurorët spartak Ngjela