Sopranoja Inva Mula ka rikthyer në Shqipëri “MIK Festival”, i cili ka ngritur siparin në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë.
Festivali gërsheton në këtë edicion të pestë të gjitha zhanret e muzikës, duke zgjedhur talente të huaja e shqiptare, si: sopranoja Emilie Rose Bry, këngëtaret Elina Duni e Ledina Çelo, pianisti Eklant Hasa e Gent Rushi në firzamonikë.
“E kam të brendshme merakun për t’i dhënë një dorë të rinjve, sepse tek e fundit detyra jonë është që të sjellim në skenë sa më shumë prej tyre. Dhe jam përpjekur ta konceptoj këtë program ashtu siç do të doja ta shikoja edhe vetë si spektatore”, thotë Mula.
Festivali përfshin brenda traditën korçare.
“Prandaj është shumë i bukur ky festival i Korçës, sepse po të gërmosh gjen brenda qytetit të Korçës shumë personalitete që i kanë dhënë kulturës, që e kanë ngritur dhe mbajtur në shtylla artin shqiptar”, shton më tej sopranoja.