Në Amfiteatrin e Tiranës, ngriti sot siparin ‘Travel Fest Albania’, i cili do ju japë mundësinë shqiptarëve të shijojnë filmat ‘travel’.
“Është një ide fantastike! U gëzova shumë kur mësova se miqtë e mi Luljeta Progni dhe Altini kanë ndërmarrë një nismë të tillë, këtë e them duke pasur parasysh potencialin e saj, për dokumentarët e punët e realizuara në kohë. Mendoj se do t’i shërbejë promovimit të kulturës, kinematografisë, vendit!”, thotë këngëtari Bojken Lako.
I pari film që çeli maratonën kinematografike, ishte “Mirëdita Shqipëri” një produksion izraelit që i dedikohet vendit tonë. Të përzgjedhur mes 1000 filmash, 128 produksione nga 42 vende të botës do të shpalosin në 4 kinema të kryeqytetit një sërë tematikash për zhvillimin, turizmin natyror e padyshim eksperiencën e udhëtimit e xhirimit nëpër botë.