Ndërprerja e reshjeve të dëborës, mbrëmjen e djeshme ka bërë që të ulen ndjeshëm temperaturat në të gjithë Dibrën. Si pasojë e ngricave vijon të jetë e bllokuar Rruga e Arbrit. Policia ka vendosur postblloqe në Klos dhe në Bastar-Murrizë dhe detyron drejtuesit e mjeteve të marrin aksin e vjetër nga Burreli, deri në një njoftim të dytë.
Pjesa më e madhe e fshatrave në zonat e thella të Lurës, Selishtës, Kalasë së Dodës, Sllovës, Krastës, Ostrenit, Trebishtit, janë të izoluar dhe rrugët janë ende të pa hapura. Po ashtu, prej 48 orësh janë pa energji elektrike fshatrat Lurë, Selishtë, Luzni dhe Sllovë. Në Bulqizë vijojnë të jenë pa energji prej 48 orësh fshatrat Krastë, Ostren, Trebisht dhe një pjesë e fshatrave të Fushë Bulqizës.
Për shkak të ngricave një pjesë e qytetit të Peshkopisë ka mungesë të ujit të pijshëm, pasi tubacionet kanë ngrirë nga temperaturat e ulëta gjatë natës,të cilat kanë kapur vlerat deri në -15 gradë nën zero.
Akset rrugore:
Aksi Peshkopi-Klos kalimi bëhet me zinxhirë në orët e mëngjesit për shkak të ngricave, ndërsa më tej Klos – Skuraj pa probleme.
Aksi Ura e Çerenecit – Librazhd kalimi bëhet me zinxhirë.
Aksi Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës kalimi bëhet me zinxhirë.
Aksi Peshkopi- Draj Reç- Kukës kalimi bëhet me zinxhirë.