Aktualitet12 Dhjetor 2018, 20:10

Ngrihet KLP dhe KLGJ, ambasada amerikane tjetër thirrje aktorëve kombëtarë: Kjo është vendimtare

Shkruar nga Pamfleti
Ngrihet KLP dhe KLGJ, ambasada amerikane tjetër thirrje aktorëve

Ngrihet KLP dhe KLGJ , ambasada amerikane tjetër thirrje aktorëve kombëtarë: Kjo është vendimtare

Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë  dhe KLGJ-së shënon institucionet e para të sistemit të ri që Reforma në Drejtësi synon të krijojë.  Pas tejkalimit me sukses të këtij procesi ka reaguar edhe ambasada e SHBA në Tiranë. Kjo e fundit përmes një postimi në ‘Facebook’ ka përgëzuar prokurorët dhe gjykatësit që sipas saj zgjodhën të ndryshojnë historinë e Shqipërisë.

Reagimi i plotë i ambasadës amerikane:

?? | Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë mirëpret krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ne përgëzojmë prokurorët dhe gjykatësit që morën pjesë në votim për kurajon e tyre dhe që zgjodhën të ndryshojnë historinë e Shqipërisë. Krijimi i Këshillave shënon një hap vendimtar në zbatimin e reformës në drejtësi të Shqipërisë, e cila zëvendëson një sistem të prishur me një sistem me integritet, i cili përmbush dhe u shërben nevojave të qytetarëve shqiptarë. 

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy shtyllat e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor. Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të mundësojë tani krijimin e Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, si edhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përhershëm. Këto institucione të drejtësisë janë të gjithë gurë të rëndësishëm në ndërtimin e shtëpisë së drejtësisë.

Aktorët kombëtarë duhet tani të konsolidojnë këtë përparim të reformës në drejtësi, përfshirë edhe nëpërmjet rekrutimit dhe emërimit të magjistratëve të rinj, gjë që është vendimtare për funksionimin e gjyqësorit. Një gjyqësor i fortë dhe i pavarur është kritik për të sjellë për popullin shqiptar rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Shtetet e Bashkuara mbeten plotësisht të angazhuara në mbështetjen e Shqipërisë për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe cilësor, i cili sjell drejtësinë për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Aktualitet KLGJ KLP