Politike24 Tetor 2022, 11:13

Nikolla letër KiE mbi raportin e Marty-t: Korrigjoni këtë gabim trashanik ndaj Shqipërisë e Kosovës

Shkruar nga Pamfleti
Nikolla letër KiE mbi raportin e Marty-t: Korrigjoni këtë gabim

Nikolla letër KiE mbi raportin e Marty-t: Korrigjoni këtë gabim trashanik ndaj Shqipërisë e Kosovës

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u ka dërguar një letër kryeparlamentarëve të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës mbi Rezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”.

Nikolla u kërkon mbështetje delegacioneve përkatëse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për “korrigjimin e këtij gabimi tragjik ndaj Shqipërisë dhe Kosovës”.

“Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, mbajti një fjalë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në të cilin bëri të njohur dhe përmbajtjen e Rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë si edhe pathemeltësinë e akuzave mbi të cilat ishte miratuar Rezoluta e Këshillit të Evropës, duke nënvizuar gjithashtu se, për fat të keq, këto akuza vazhdojnë të ushqejnë armiqësinë dhe ksenofobinë ndaj shqiptarëve.

Shpresoj shumë në mbështetjen Tuaj personale, të anëtarëve të Parlamentit Tuaj si edhe të anëtarëve të delegacionit Tuaj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për korrigjimin e këtij gabimi tragjik ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, pasojat e të cilave vazhdojnë të dëmtojnë jo vetëm dy vendet tona, por edhe të drejtën e të vërtetën si edhe mirëkuptimin e paqen në rajon e më gjerë.

Kjo nuk është vetëm një kërkesë për të drejtën, të vërtetën dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe për kredibilitetin e organizatave politike ndërkombëtare dhe vlerat që ato përfaqësojnë e mbrojnë”, shkruan në letër Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Fjala e kryeministrit Edi Rama në asamblenë e KiE-së pak ditë më parë shkaktoi reagime të forta nga delegacionet e disa vendeve, aq sa ata anuluan edhe darkën e parashikuar me të.

Politike #leter KiE Lindita Nikolla raporti i Dick Marty