Aktualitet21 Nëntor 2022, 17:23

Nis zbatimi i hartës gjyqësore/ Shkrihen Apelet e rretheve, çështjet transferohen në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vënë në zbatim hartën e re gjyqësore. Ndonëse ka pasur shumë kritika dhe kundërshti nga avokatët dhe grupet e tjera të interesit, sot KLGJ ka vendosur shkrirjen e të gjitha gjykatave të Apelit në rrethe.

Sipas vendimit të KLGJ, Gjykata e Apelit në Tiranë do të jetë e vetmja gjykatë Apeli në vend dhe ajo do të quhet: Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Të gjitha çështjet do të trajtohen nga kjo gjykatë, e cila do nisë të funksionojë tërësisht më 1 shkurt 2023. Ndërsa nga data 31 janar 2023, pushojnë së funksionuari Gjykatat e Apelit Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe Vlorë.

Akti i miratuar nga Këshilli është një akt normativ nënligjor, i cili është i harmonizuar me misionin, vizionin dhe vlerat thelbësore të pushtetit gjyqësor, si dhe Objektivin Strategjik 3 të Planit Strategjik të KLGJ 2022- 2024, që synon përmirësimin e ofrimit të shërbimeve efikase përmes miratimit dhe zbatimit të Hartës së re Gjyqësore.

Ky vendim është konceptuar si një vendim kuadër që përcakton tërësinë e parimeve që do të udhëheqin procesin e zbatimit të riorganizimit të kompetencave tokësore të gjykatave të apelit, duke synuar vijimësinë në drejtimin dhe ofrimin e shërbimeve gjyqësore, administrative dhe atyre mbështetëse nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, në datën 1 shkurt 2023”, thekson KLGJ.

Në vendim janë përcaktuar dhe hapat që do të ndiqen për transferimin e dosjeve nga gjykatat e Apeleve në rrethe, te gjykata qendrore në Tiranë.

Çështjet gjyqësore të regjistruara në Gjykatën e Apelit Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe Vlorë deri në datën 31.01.2023, por që nuk kanë përfunduar sipas ligjit, transferohen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Çështjet gjyqësore që transferohen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, regjistrohen në regjistrat manualë dhe sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve ICMIS”, theksohet në vendim.

Sipas vendimit, çështjet gjyqësore të transferuara në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm rindahen me short elektronik, në përputhje me kriteret e miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ndërsa çështjet gjyqësore të transferuara në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, për të cilat ka filluar apo është planifikuar shqyrtimi gjyqësor në gjykatat e apelit Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe Vlorë, nuk i nënshtrohen rindarjes me short. Këto çështje do të vijojnë të shqyrtohen nga të njëjtët gjyqtarë. /Pamfleti

Aktualitet apele KLGJ rrethe