Aktualitet15 Gusht 2022, 16:19

Një atentat për shqiptarët dhe një dhuratë për Serbinë !

Shkruar nga Pamfleti
Një atentat për shqiptarët dhe një dhuratë për

Politika shqiptare ka bërë një herë shumë vite më parë një atentat ndaj shtetit laik dhe harmonisë fetare , ditën kur anëtarësoi Shqipërinë në Konferencën Islamike, duke qenë në një shoqëri multifetare dhe jo vetëm kaq por edhe laike, ateiste e agnostike.

Shkruan Agron Gjekmarkaj

Projektligji për lejimin e shamisë në ambientet institucionale shkolla e zyra në Kosovë nuk është respektim i fesë, por përdorim i saj politik. Një përdorim me pasoja tragjike për imazhin e kombit tonë.

Me simpati shikohej Albin Kurti kur shiste shtëpinë e tij për të mbajtur partinë, por me përbuzje sot kur shet Kosovën tek radikalizmi për të mbajtur pushtetin.

Kosovarët i thanë “jemi komb i Dua Lipës dhe jo i Dude Bales”! Bota intelektuale e Kosovës sot ka mundësi të zgjedhë mes Sabri Hamitit e Shefqet Krasniqit. Ata gjithmonë kanë ditur të zgjedhin dritën e iluminizmit para errësirës që imponon çdo mbulim.

Kushdo që e njeh historinë e kombit dhe shteteve tona e di që cila ka qenë lënda e para që Serbia përdortë kundër shqiptarëve në ish Jugosllavi. Po kaq e di se sa përpjekje titanike bënë rilindasit tanë për të mundur paragjykimet ndërkombëtare dhe pusitë e fqinjëve.

Marrëveshjet që Mbretëria Jugosllave dhe shteti i Titos bënë me Turqinë për zhvendosjen e shqiptarëve dhe shpopullimin e Kosovës u realizuan për të goditur indin kombëtar dhe duke abuzuar me përkatësinë fetare.

Vështirësitë që u imponoheshin shqiptarëve për të drejta kombëtare e shkolla në raport me objektet e kultit dhe akuzat për fundamentalizëm nga propaganda e Millosheviçit kanë qenë strategjike në mënyrë që kosovaret të shiheshin me paragjykim nga perëndimi.

Elitat e Kosovës , studentet por edhe qytetaret e zakonshëm në 1968, 1974, 1982, 1989 , 1991, 1999 e mbrojtën Kosovën me logjike, kurajo e të drejtë historike nga akuzat monstruoze që mund ti vrisnin të ardhmen.

Në këtë kontekst Ibrahim Rugova dhe plejada e ndritur e ndjekësve të tij që sot duhet të flasin përsëri kthyen Kosoven me zemër e fytyrë nga kontinenti që ajo i përket.

NATO, SHBA , Evropa, bënë luftën më të paimagjinueshme duke ju besuar shqiptarëve, duke çmuar rezistencën e tyre për të jetuar si evropianë në vatrat e tyre ndaj bombarduan për disa muaj Serbinë dhe krijuan shtetin e Kosovës si investim i drejtpërdrejtë i vlerave perëndimore. Feja dhe përdorimi i saj ideologjik nuk janë e njëjta gjë.

Shqiptaret në këtë pikëpamje që me Pashko Vasën gjeten formulën e tyre ideologjike me avangarde “feja e shqiptarit është shqiptaria”, identiteti kombëtar mbi atë religjioz në mënyrë që ky i dyti të jetë i garantuar, besim i lirë në shtet të lirë, kjo u aplikua edhe në Vlorën e 1912.

Politika shqiptare ka bërë një herë shumë vite më parë një atentat ndaj shtetit laik dhe harmonisë fetare , ditën kur anëtarësoi Shqipërinë në Konferencën Islamike, duke qenë në një shoqëri multifetare dhe jo vetëm kaq por edhe laike, ateiste e agnostike.

Së paku kjo pjesëmarrje nuk u kujtua më me krenari por u trajtua me skuthëri diabolike që nga ajo ditë e sot. Kur Ismail Kadare me intuitën që pak kush e ka paturp sa ai shkroi “identiteti evropian i shqiptarëve” për habi shkaktoi dhe reagime e zemërata.

Lindja radikale ajo që e përdor fenë si ideologji kishte shtrirë tentakulat e veta edhe në shoqërinë shqiptare. Prej vitesh në Kosove flisnin për këtë intelektuale e politikanë.

Rreziku nuk paskësh qenë retorik por real. Por sot të gjithë ata që besojnë tek Kosova demokratike e multifetare në paqe e harmoni me traditën veten dhe të ardhmen e saj evropiane duhet të reagojnë, të protestojnë, ta ndalin atentatin ndaj Kosovës dhe t’ia heqin Serbisë nga dora dhuratën e artë që Albin Kurti po i jep.

Liria nuk duhet perceptuar si abuzim që për të mbytur vetveten as instrument në dorën e një integralisti që Kosova për të është vetëm karrigia mbi të cilën ulet.

E respektoj shtetin e Kosovës në çdo hallkë të veten por jam edukuar dhe kam mësuar që ajo ishte Shqipëri dhe Kosovaret shqiptarë që mbase me shumë se pjesa tjetër derdhi gjak në shekuj në emër të identitetit, emrit shqiptar dhe harmonisë fetare si aks jetik i shoqërisë dhe shteteve tona që aspirojnë të bashkohen në BE

Forum Albin Kurti Kosova Shqipëria