Editorial 4 Prill 2019, 07:37

Një fenomen i errët gjeopolitik ballkanik

Shkruar nga Pamfleti
Një fenomen i errët gjeopolitik ballkanik

Një fenomen i errët gjeopolitik ballkanik

Synimi është për ta detyruar Tiranën të pranojë recetën greke të të ashtuquajturës paketë të marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Greqisë, e cila në formën, që iu imponua palës shqiptare në tavolinën e bisedimeve në vitin 2017, çon drejt shkeljes së interesave shtetërore dhe kombëtare dhe në rritjen e ndikimit grek në Shqipëri.

Shkruan Shaban Murati

Nuk është gjë e zakontë që, në një vit e gjysmë, grupimi i katër shteteve: Greqi, Bullgari, Rumani dhe Serbi, ka organizuar me njëri-tjetrin shtatë samite, nga të cilat i fundit në Bukuresht në 29 mars 2019. Është një frekuencë diplomatike mbresë tërheqëse, e cila flet për një ritëm të shpejtuar në konkretizimin dhe forcimin e një aleance të veçantë midis katër shteteve ballkanike.

Është interesant se edhe pas shtatë samiteve nuk është thënë zyrtarisht dhe publikisht se cilat janë arsyet dhe qëllimet e kësaj aleance subrajonale. Retorika zyrtare flet vazhdimisht për plane e projekte të përbashkëta në fushën e transportit, energjisë dhe infrastrukturës, por kjo nuk është bindëse për dy arsye të thjeshta.

E para, që nuk ka projekte konkrete të mëdha, që përfshijnë vetëm këto katër shtete, dhe që të justifikojnë këtë frekuencë samitesh, në një kohë që kjo tematikë mund të ezaurohej me takime ministrash dikasteresh përkatëse. E dyta, dhe më e rëndësishmja, është se të katër këto shtete janë të varfër dhe nuk kanë takate financiare të financojnë projekte të mëdha të kushtueshme shumështetëshe.

Në logjikën e realiteteve të fuqisë dhe të kontekstit historik ballkanik, lind e drejta të mendohet se në themelet e ngritura natën të kësaj aleance të re duhen parë si material ndërtues interesat gjeopolitike individualiste në rajon të pjesëmarrësve.

Në fund të fundit në optikën diplomatike, duhet të jetë një interes gjeopolitik dhe strategjik, qëi distancon këto katër shtete nga shtetet e tjera ballkanike, dhe që i shtyn në një aleancë të shkëputur. Aq më tepër bie në sy kjo shkëputje,kur shumica e shteteve të tjera ballkanike, të përjashtuar nga aleanca katërpalëshe e Bukureshtit, janë anëtarë të NATO-s dhe të BE.

Në deklaratën e përbashkët të samitit të Bukureshtit të udhëheqësve të katër shteteve,publikuar në 29 mars,gjen përkufizimin se“dialogu midis shteteve tona përfaqëson një kuadër funksional për bashkëpunimin rajonal”. Nuk është e qartë përse u dashka ky kuadër i veçuare këtyre katër shteteve të veçuar, në një kohë që rajoni i ka rrugët dhe format e përcaktuara tashmë, qoftë të bashkëpunimit, qoftë të integrimit.

Rajoni është i përfshirë në “Procesin e Berlinit”, i krijuar në 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, për përshpejtimi ne integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Të gjitha shtete e tjera ballkanike, jashtë Ballkanit Perëndimor, janë të anëtarësuar në BE.

“Procesi i Berlinit” përmban projekte të mëdha rajonale infrastrukture, energjetike, transporti, etj. të cilat do të financohen nga BE. Mirëpo në katër vitet fundit në Ballkan shpërtheu papritur fenomeni politike diplomatik i fragmentarizimit të integrimit europian dhe i krijimit të disa të ashtuquajturave aleanca mikroballkanike apo subrajonale me pjesëmarrjen e tre apo katër shteteve.

Kështu lindi në vitin 2015 i quajturi “grup i Krajovës”, sipas emrit të qytetit rumun, ku u mblodh samiti i parë i aleancës së re të tre shteteve, Rumanisë, Bullgarisë dhe Serbisë. Në tetor të vitit 2017 u mblodh samiti i parë i aleancës së re të katër shteteve: Greqi,Bullgari, Rumani dhe Serbi, të cilët kanë vendosur një rekord samitesh deri tani. Greqia nga ana tjetër organizoi samit të veçantë të një grupimi të ri, Greqi, Bullgari dhe Rumani.

Ky fenomen i fragmentarizimit të integrimit europian tëBallkanit po merr një intensitet të ri,i cili nuk mund të lihet jashtë vëmendjes nga shteti dhe diplomacia jonë, për shkak të pasojave, që mund të ketë për të dy shtetet shqiptare dhe për kombin shqiptar. Çfarë tërheq vëmendjen në këtë fenomen të errët gjeopolitik ballkanik?

Së pari, që ky fenomen doli në skenën ballkanike pas ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë dhe pas aneksimit të dhunshëm tëKrimesë nga Rusia. Kjo krijoi përplasjen e parë gjeopolitike të fuqishme midis Rusisë dhe BE, dhe Rusia nisi fazën e dytë të përplasjes gjeopolitike me ndezjen dhe acarimin e tensioneve antieuropiane dhe antiatlantike në Ballkan.

Burime diplomatike flasin për një mbështetje fortë në prapaskenë nga Moska për këto grupime të veçuara të tre apo katër shteteve ballkanike. Fenomeni i ri negativ rajonal i kompozimeve të reja të grupimeve apo të aleancave shtetërore të veçuara pas viti 2014, me krijimin dhe rikrijimin e grupeve të ngushta aleancash midis tri apo katër shteteve ballkanike, që vjen si reminishencë e fenomenit të aleancave shtetërore armiqësore ndaj çështjes shqiptare në periudhën e luftërave ballkanike, po ndodh në kohën kur shtetet e Ballkanit janë anëtarë ose aspirojnë të bëhen anëtare të BE dhe të NATO-s. Kjo tendencë duhet konsideruar kundërvënie ndaj procesit të integrimit euroatlantik dhe perëndimor të Ballkanit.

Kjo kundërvënie separatiste duhet konsideruar si rrethanë dhe perspektivë jomiqësore ndaj Shqipërisë dhe ndaj kombit shqiptar. Veçori dhe emërues i përbashkët i gjithë këtyre grupeve e aleancave të veçuara ballkanike rreth e rrotull nesh është fakti se të gjitha ato e kanë përjashtuar Shqipërinë dhe nuk e kanë thirrur të bëjë pjesë në asnjë grup, megjithëse Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe disa shtete të këtyre grupeve e aleancave janë gjithashtu anëtarë të NATO-s.

Veçori e pjesëmarrësve në këto grupime individualiste ballkanike është se shumica e tyre, pra tre shtete, Greqi, Rumani dhe Serbi, nuk e njohin Kosovën dhe punojnë kundër interesave të saj si shtet i pavarur. Veçori tjetër e përbashkët, jorastësore, është se të gjitha grupimet e mësipërme janë krijuar vetëm me shtete ortodokse.

Së dyti, fenomeni i mikroaleancave të tre apo katër shteteve de facto krijon barriera për integrimin europian të rajonit. Në mënyrë të habitshme kryeministrja e Rumanisë, Viorica Dancila, deklaroi në 29 mars se futja e Serbisë në BE është një nga objektivat kryesore të grupit të katër shteteve.

Ajo e kishte për detyrë të sqaronte se përse grupimi i katërshes, nga pesë shtete kandidate të BE në Ballkan ata zgjodhën të bëjnë anëtar të tyre vetëm Serbinë. Në shtatë samitet e organizuara nga ky grupim, nuk është ftuar asnjëherë asnjë shtet i rajonit, qëjanë kandidatë në BE dhe anëtarë të NATO-s.

Dhe absurdi diplomatik i aleancës së katër shteteve ballkanike shkon deri atje, sa që i pari udhëheqës, që u ftua prej tyre në një samit, ishte kryeministri i Izraelit, Beniamin Netaniahu, në samitin e nëntorit të vitit të kaluar.

Së treti, ky grupim merr përsipër një rol protektori, që nuk ia ka kërkuar dhe as ia ka ngarkuar askush. Në fjalën e mbajtur në konferencën e shtypit pas samitit të Bukureshtit, kryeministri i Greqisë, A.Cipras, deklaroi se “format tri palëshe dhe katërpalëshe të bashkëpunimit, të zhvilluara nga ne, kontribuojnë për stabilitetin rajonal dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Edhe ai nuk sqaroi se si do ta bëjnë këtë, kur nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor ata kanë futur në grupin e tyre vetëm Serbinë. Ballkani Perëndimor e ka kuadrin shtetëror, formatin dhe strategjinë e hartuar dhe të drejtuar nga BE për integrimin në BE.“Procesi i Berlinit”është mekanizmi dhe organizimi direkt i integrimit në BE,i cili organizon çdo vit samitet e përbashkëta të BE dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Se sa i pavend është pretendimi i mësipërm i kryeministrit grek, e dëshmon fakti se në pesë samitet e rëndësishme të përvitshme, të organizuar nga BE me vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të“Procesit të Berlinit”, nga viti 2014 asnjëherë nuk janë ftuar shtetet e të ashtuquajturit grup i Bukureshtit.

Është tejet e vështirë të gjesh një nevojë apo logjikë për krijimin e një aleance të posaçme të katër shteteve, Greqi, Bullgari, Rumani dhe Serbi. I vetmi shpjegim është mentaliteti i vjetër i diplomacisë ballkanike për të krijuar sa më shumë mikroaleanca rajonale, si forma të ndikimit të tyre në Ballkan. Ka dy elemente, që nuk duket se janë rastësi në rastin e aleancës së katër shteteve.

Së pari, që kemi përsëri formatin e shteteve të Traktatit famëkeq të Bukureshtit të10 gushtit të vitit 1913, ku nën pretekstin e luftës kundër perandorisë osmane shtetet ballkanike u përpoqën të gllabëronin sa më shumë territore shqiptare.

Së dyti, janë të katër shtete ortodokse. Portali i njohur “euroaktiv.com” shkruante lidhur me këtë grupim: “Mbledhja e Bullgarisë, Rumanisë, Greqisë dhe Serbisë u quajt nga diplomatët dhe gazetarët “katërshja ortodokse”.

Samiti i 29 marsit në Bukuresht nxori edhe një element tjetër. Kryeministri i Greqisë Cipras sulmoi në konferencë shtypi direkt Shqipërinë:“Unë po mësoj se ka një zhvillim negativ lidhur me komunitetin grek në Shqipëri. Nëse lajmi është i vërtetë, do të jetë një kthim mbrapa për kursin e Shqipërisë drejt BE”. Është jashtë çdo etike që kryeministri grek, ende pa verifikuar nëse lajmi është i vërtetë, ndërmerr një sulm publik kundër një shteti fqinj, anëtar të NATO-s, dhe e kërcënon se do t’i bllokojë anëtarësimin në BE.

Konstatohet se që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Prespës me Maqedoninë e Veriut, Greqia ka ndërmarrë një fushatë frenetike me sulme dhe kërcënime kundër Shqipërisë, flamurin e të cilave e mban me tirada të përjavshme antishqiptare presidenti i Greqisë. Kryeministri Cipras zgjodhi ta bëjë nga paneli i samitit të aleancës së re të katër shteteve, me synimin që të duket si kërcënim grupi.

Pas fitores së arritur në Maqedoninë e Veriut me marrëveshjen e Prespës, e cila duam apo nuk duam ta pranojmë, do ta forcojë edhe më shumë rolin dhe ndikimin e Greqisë në Shkup, Athina po shkallëzon presionet ndaj Tiranës.

Synimi është për ta detyruar Tiranën të pranojë recetën greke të të ashtuquajturës paketë të marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Greqisë, e cila në formën, që iu imponua palës shqiptare në tavolinën e bisedimeve në vitin 2017, çon drejt shkeljes së interesave shtetërore dhe kombëtare dhe në rritjen e ndikimit grek në Shqipëri.

Ka rëndësi që shteti dhe diplomacia shqiptare t’a ndjekin me vëmendje këtë fenomen të errët gjeopolitik ballkanik, sepse ka shumë përpjekje të diplomacisë meskine ballkanike, të cilat gjatë 107 viteve të shtetit shqiptar kanë synuar ta mbajnë në statusin e shtetit të kategorisë së dytë, për të mos thënë të shtetit raja.

Edhe qytetari më i painformuar e di se çështja shqiptare dhe faktori shqiptar hynë ndër preferencat e pazareve të diplomacisë së fshehtë bizantine ballkanike. Shtetet ballkanike kanë një objektiv të qartë gjeopolitik: të mos lejojnë dy shtetet shqiptare të bëhen faktor vendimtar në zhvillimet rajonale.

Ndaj edhe Greqia, edhe Serbia, po e godasin njëkohësisht nën brez Shqipërinë. Madje në 1 mars 2019 ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç i drejton Tiranës propozimin që Serbia dhe Shqipëria ta zgjidhin me bisedime direkte midis tyre çështjen e Kosovës.

Një shtet serioz ndjek zhvillimet dhe fenomenet negative në nëntokën diplomatike ballkanike dhe mban në alarm instrumentet dhe mekanizmat e vetëmbrojtjes së interesave jetike. Nuk i lejohet të hutohet në botën virtuale të internacionalizmit ballkanik, të familjes ballkanike apo të ahengut ballkanik. Faktor në rajon bëhesh duke u shprehur me vendosmëri për çka ndodh në Ballkan dhe jo duke qëndruar si mumje në cep të odës ballkanike apo duke çaluar pas qerres së thyer të ballkanasve.

Editorial fenomeni i errët gjeopolitik ballkanik Shaban Murati