Se dimri i ardhshëm do të jetë i vështirë për kosovarët është dëshmuar që tash. Qytetarët po përballen me çmime jashtëzakonisht të shtrenjëta të produkteve me të cilat pritet të ngrohen. Një metër dru në Prishtinë po shitet deri në 100 euro.
Pavarësisht çmimit të ngritur, qytetarët janë të detyruar të blejnë dru, pasi mbetet opsion i vetëm i ngrohjes mes paralajmërimeve për mungesë të energjisë elektrike.
Gani Fejza, i cili kishte dal për të blerë dru tha që çmimi i druve për metër kub është i papërballueshëm, duke shtuar se vitin e kaluar për një metër dru ka paguar 30 euro.
“Kam ardhur të marr dru për dimër, çmimi është shumë i shtrenjtë i pa përballueshëm, 70, 75 deri në 80 euro shkon çmimi. Vitin e kaluar e kemi paguar 30 deri 35 më së shumti. Nuk e di si do t’ia dalim, rrymë po thonë s’do të ketë, problem për besë”, tha Fejza për EO.
Ramadan Kameri tha se formë tjetër të ngrohjes nuk ka për shkak të shtrenjtimit të rrymës janë të detyruar të blejnë dru.
“Ende nuk kemi blerë por çmimi është rritur shumë, është dyfishuar nga viti i kaluar. Çmimi deri në 80 euro nuk është i përballueshëm, por me gjendjen në Kosovë tani nuk kemi çfarë të bëjmë. Formë tjetër të ngrohjes nuk kemi”, tha Kameri.
Se çmimi i drunjëve është rritur e ka thënë edhe qytetari Bedri Ismaili.
“80 deri 100 euro po shkon një metër dru, ne nuk mund ta përballojmë sepse nuk i kemi kushtet, jemi pa punë. Vitin e kaluar ka qenë më lirë nga 65 euro, 55 e 40 euro”, tha Ismaili.