
Një program televiziv që e prisnim prej vitesh….
Bravo! Sa me fat që 2023-shi ka nisur me programe cilësore! Ja pra që televizioni bëhet edhe përtej formatit “mbledhim 4 vetë, dy këtej dhe dy andej dhe flasim për aktualitetin”. Sa mirë. Mrekulli!
Shkruan Lutfi Dervishi
Më kanë thënë, që një televizion kombëtar ka nisur së fundmi transmetimin e një programi shumë popullor.
Programi, më thonë është informues, argëtues, por mbi të gjitha edukues. Transmeton vlerat më të mira të shoqërisë shqiptare, i mëson të rinjtë me rëndësinë e librit, dialogut të civilizuar, dashurinë për punën, respektimin e vlerave të vërteta, tolerancën, mendimin ndryshe, rëndësinë e përdorimit me eficensë të kohës dhe mbi të gjitha respektin për të vërtetën.
Programi, më kanë thënë, rrezaton vetëm mirësi, dituri, kulturë dhe ka ngjallur aq shumë interes, sa edhe të huajt që banojnë në Shqipëri kanë vendosur të mësojnë shqipen.
Ajo që e bën programin shumë popullor, më thonë se janë personazhet, – personalitete të vërteta të jetës kulturore, artistike, mediatike dhe shkencore të Shqipërisë.
Dialogjet që rrezatojnë një kulturë të thellë dhe batutat e nivelit të lartë, i mbajnë shikuesit të mbërthyer pas ekranit.
Ndoshta, janë diskutimet për temat e ditës, si inteligjenca artificiale, mësimi dhe puna në distancë, problemet e imazhit të Shqipërisë, keq dhe mirëqeverisja, argëtimi, dobia dhe mallkimi i rrjeteve sociale, konflikti mes brezave në familje, gjuhët e huaja, edukimi mediatik, udhëtimet, kuizet, librat dhe serialet më të mira që e bëjnë këtë program kaq popullor dhe të vlerësuar nga publiku shqiptar i zhuritur për cilësi!
Bravo! Sa me fat që 2023-shi ka nisur me programe cilësore! Ja pra që televizioni bëhet edhe përtej formatit “mbledhim 4 vetë, dy këtej dhe dy andej dhe flasim për aktualitetin”. Sa mirë. Mrekulli!
Kam vetëm një problem dhe kërkoj ndihmën tuaj. U bë disa ditë, që po e kërkoj këtë program, por nuk po e gjej.
Në cilin televizion transmetohet dhe në cilë orë?
Ju falenderoj!