“Më shumë sesa vdekjes, njeriu i trembet izolimit të plotë që vjen bashkë me të. Ne përpiqemi ta kalojmë jetën dy e nga dy, por secili prej nesh duhet të vdesë i vetëm – askush nuk mund ta vdesë vdekjen tonë me ne apo për ne”
Irvin Yalom, një nga autorët më mendjemprehtë dhe të dashur për lexuesit në mbarë botën, këtë vit vjen në shqip me një nga veprat e tij më të shitura, “Kuptimi i Jetës”, botuar nga Shtëpia Botuese “Morava”.
Në këtë “formulë” të shkruar mjeshtërisht me gjashtë rrëfenja klinike, Yalom-i depërton thellë mbi vdekjen, mbi izolimin, mbi frikën e përballjes me fundin dhe orvatje të tjera njerëzore, dhe nganjëherë edhe mbi përpjekjet e vështira për të modifikuar personalitetin e njeriut që ai të jetojë një jetë më kuptimplotë.
Sa i cenueshëm është vetë një psikiatër përballë dilemave dhe fakteve ekzistenciale me të cilat përballet çdo ditë gjatë seancave të terapisë? Çfarë ndodh vërtet gjatë terapisë? Askush nuk shkruan për terapinë – dhe as për dilemat e gjendjes njerëzore – me më shumë mprehtësi, stil dhe zemër, se Irvin Yalom.
Në këto gjashtë rrëfena magjepsëse të marra nga përvoja personale klinike, Irvin Yalom tregon sërish që është një eksplorues i patrembur i psikikës njerëzore, ndërsa i shoqëron pacientët dhe veten drejt një transformimi të madh. Me një vështrim të mprehtë dhe të hollësishëm, ai na prezanton me një kastë të paharrueshme personazhesh. Ne njihemi me ëndrrat e trazuara të një psikiatri i cili vuan dhe rijeton marrëdhënien e vështirë më nënën autoritare, me “rrugëtimin e të dyve” drejt frikës, kontrollit dhe gënjeshtrave, të cilat kanë lënë gjurmë të thella në jetën e psikiatrit.
Si një psikiatër i përbetuar për një terapi autentike, ndërsa autori kridhet në fantazitë e shpëtimit të vajzave nga një e keqe e madhe, lufton për të mbajtur nën kontroll nevojën për figurën e një nëne të dashur.
Njihemi me Paulën, e cila përballet me vdekjen, ia ul kokën, por ama me vete mban një “gur” zemërimi; me Magnolian, mbi prehrin e bollshëm të së cilës Yalom-i kërkon të derdhë brengat e veta, edhe pse përpiqet të lehtësojë të sajat; me Irenën, e cila mëson të pranojë mllefin ndaj vdekjes së të shoqit; takojmë edhe Martinin, një burrë të moshuar të lidhur pas karriges me rrota të cilit nuk i ka mbetur më asnjë kuptim në jetë; takohemi me Rozën, një anoreksike kockë e lëkurë që e ushqejnë me tuba dhe që e ka humbur besimin që atje jashtë, ka njerëz që mund ta kuptojnë. Njihemi me Ernestin, që ndërton një marrëdhënie autentike dhe të hapur me pacientët, e cila megjithëse shpeshherë e vendos në rrezik, sjell një transformim të madh si për pacientin ashtu edhe për terapistin.
“Ne jemi krijesa në kërkim të kuptimit”, shkruan Yalomi, “dhe duhet të përballemi me fatkeqësinë që jemi hedhur në një univers i cili në thelb nuk ka asnjë kuptim.” Dhe kështu që t’i shmangemi nihilizmit, na duhet një punë e dyfishtë. Së pari, shpikim ose zbulojmë një projekt të fuqishëm që i jep kuptim jetës sonë për të mbështetur vetë jetën. Mandej, duhet të gjejmë si ta harrojmë aktin tonë të shpikjes dhe të bindim veten që nuk e kemi shpikur, por e kemi zbuluar projektin që i jep kuptim jetës – që ai ekziston në mënyrë të pavarur “atje jashtë.”
E pikërisht nëpërmjet këtyre takimeve terapuetike, të cilat shpesh janë orvatje të dhimbshme të një transformimi personal ku individët rriten në mënyra të paparashikuara duke çliruar një lumë frikërash, zemërimesh, mohimesh dhe faji, terapisti dhe pacienti, bëhen bashkudhëtarë drejt kuptimit të jetës.
“Unë mendoj se të gjitha këndvështrimet për kuptimin e jetës shtrihen përtej vetes sonë. Ato lidhen me brezat e tjerë të njerëzve rreth nesh, me fëmijët tanë dhe me familjet tona. Ne transmetojmë diçka nga vetja te të tjerët. Mendoj se është pikërisht kjo, ajo që e mbush jetën tonë plot me kuptim”, shprehet Irvin D. Yalom.