
Njëri i paraqitur si “i djathtë”, tjetri si “i majtë” janë shpresëshuarit më të mëdhenj të këtij vendi
As njëri e as tjetri nuk morën mundimin, dhe, për të qenë të saktë, nuk e kanë marrë asnjëherë, të ndalojnë sado pak shpirtërisht në atë që trazon kombin. Përkundrazi, njëri më herët e tjetri më pas, kur i është dhënë koha e tyre, e kanë përçmuar atë si njërën ndër kalesat romantike dhe nostalgjike, duke harruar se, si vendi themeltar, e kanë detyrë kushtetuese të kenë kryefjalën e një momenti të veçantë.
Shkruan Bedri Islami
Debati ordiner, për të mos thënë rrugaçëror, mes shefit të tashëm të qeverisë, Edi Rama dhe ish kryeministrit, Sali Berisha, tregon se kush na ka qeverisur dhe se cilët na qeverisin.
Debati mes ish kryetarit jetëshkurtër politik, Petrit Vasili dhe shefit të Komisionit të ligjeve, Ulsi Manja, po ashtu, tregon se cilët duan të vijnë në pushtet dhe kush është gardian i ligjeve në parlamentin shqiptar.
Dy të parët, sëbashku, drejtpërsëdrejti kanë 18 vite që sundojnë e nuk qeverisin, ndërsa përmes forcës që u është dhënë, mbizotërojnë skenën politike thuajse në të gjithë vitet pluraliste.
Që të dy, njëri i paraqitur si i të majtës dhe, tjetri, i paraqitur si i të djathtës, janë shpresëshuarit më të mëdhenj të këtij vendi, që, edhe kur iu dha shansi historik, njërit në marsin e vitit 1992 dhe, tjetrit në vitin 2013, bënë të kundërtën e asaj që duhej dhe, duam apo nuk duam, sollën në politikë monstrën që nuk duhet të jetë.
Megjithëse krimet e jetës politike të Berishës nuk kanë të krahasuar me asnjë politikan tjetër, kjo nuk e amniston politikën e ndjekur nga Rama, që, megjithëse nuk ka vrarë e nuk ka hedhur në erë askënd, përsëri përmes një politike të mbrapshtë, të pa bosht dhe autokrate deri në themel, ka sjellë bjerrjen e shpresës dhe perceptimin e njeriut të pushtetit si zot të fatit tënd dhe të jetës tënde.
Le të kthehem shkurt tek debati i fundit:
E gjithë ajo që u tha nga dy figura të njohura të politikës, në fakt, mbizotëruesit e saj, nuk kishte asnjë lidhje me atë që sot është preokupimi i njerëzve: mirëqenia e tyre, siguria, punësimi.
As njëri e as tjetri, megjithëse njëri i hequr nga pushteti dhe tjetri i besuar të drejtojë, pra dy polet e politikës, nuk frenuan veten në një dialog që shkonte drejt së pështirës dhe kaosit, drejt tensionit dhe jo mendjes, që rrihte në egërsinë dhe jo mendimin.
Berisha është i njohur për fjalorin e tij. Në tridhjetë vite ai ka përcjellë tek njerzit të njëjtin mllef, pasiguri, tërbim politik dhe, si një ndër reminishencat e së shkuarës, depërtimin deri tek jeta vetjake e kundërshtarit të tij, që një ditë më parë mund të kishte qenë miku i tij. Cilido që i ka dalë përpara është ndeshur me përroin psiqik të një mendje delirante, e cila mund të shkatërrojë gjithçka për hir të pushtetit, dhe që, nuk e ka për gjë të deklarojë haptas se “pas meje të bëhet qameti”.
Edi Rama, njeriu që ishte besimi i socialistëve, në fakt krijuesi i një degëzimi brenda saj, Rilindjes, sjell në sallën e parlamentit llastimin politik të një grupi shoqërisht të rrezikshëm, i cili mund të të përmjerrë mbi idetë që ke, mbi fjalën që thua dhe mbi të vërtetën.
As njëri e as tjetri nuk morën mundimin, dhe, për të qenë të saktë, nuk e kanë marrë asnjëherë, të ndalojnë sado pak shpirtërisht në atë që trazon kombin. Përkundrazi, njëri më herët e tjetri më pas, kur i është dhënë koha e tyre, e kanë përçmuar atë si njërën ndër kalesat romantike dhe nostalgjike, duke harruar se, si vendi themeltar, e kanë detyrë kushtetuese të kenë kryefjalën e një momenti të veçantë.
Në Kosovë, në të njëjtën kohë që dy monstrat politike po shaheshin me libër shtëpie, po vendosej për gjëra të mëdha dhe të një rëndësie kapitale, ndoshta e ardhmja e saj ishte vënë në pikëpyetje. Deklarata e shefit të qeverisë së Kosovës, në fund të fundit njeriu i duhur në kohën e duhur, se, nga bashkësia ndërkombëtare, jo nga e gjithë ajo, po na kërkohet të falim pjesë të Kosovës, gjë që duhej të kishte ngritur në këmbë parlamentin, nuk bëri asnjë përshtypje.
Njëri më herwt, Berisha, e tjetri më pas, Rama, e kanë përdorur këtë kartë të politikës kur u është dashur për hallet e tyre, ndërsa tani që duhej të kishin mbajtur frymën në Prishtinë, ata nxjerrin defterët e vjetër, nisin një dialog që vështirë të mendohej se mund të ishte në një stallë mbathamorësh, përjetojnë orgazmën e sharjeve të mëdha.
Dhe, në dy anët e kuvendit, njëra palë duartroket Berishën e pala tjetër duartroket Ramën.
Asnjëri nga deputetët e pranishëm nuk ngrihet mbi veten dhe të thotë: ndalni një herë, Shqipëria nuk është gjuha juaj, halli juaj nuk është halli i shqiptarëve, bëmat tuaja nuk janë të përbashkëta me jetën e shqiptarëve.
Në Maqedoni, për herë të parë, parlamenti flet shqip zyrtarisht, qeveria dëgjon në mbledhjet e saj edhe gjuhën shqipe; shqiptarët bëhen përcaktues të emrit të ri të shtetit fqinj, ku ata përbëjnë rreth 40 për qind të popullsisë; ndërkombëtarët e thonë haptas se qeveria duhet t’i falënderohet për këtë partive politike shqiptare e sidomos Ali Ahmetit….ndërsa në Tiranë, mes sallës themeltare të shtetit, dy liderë, të kthyer në monstra të mendimit dhe të qëndrimit, kapen si njerëz të untuar për të shkulur njëri-tjetrin.
Është e vërtetë e gjithë kjo, apo një lojë e pështirë politike për të hequr vëmendjen nga e vërteta që rrethon gjithë mjedisin tonë, politik e njerëzor?
Vërtet kanë kaq shumë mllef ndaj njëri-tjetrit dy liderët, sa që janë gati t’i thyejnë dhëmbët njëri tjetrit?
Ndërsa ditën në parlament ata shahen si banditë rruge, në darkë bëjnë marrëveshjet e tyre, të cilat bëjnë të heshtin kambanat e urrejtjes.
Në pesë vitet e qeverisjes Rama ende asnjë dosje nuk është ngritur për qeverisjen Berisha, të cilin shefi i tashëm i kryeministrisë kishte premtuar se do e dërgonte para togave të zeza. Për më tej, tani, ai dhe vartësit e tij më të afërt, autorët e greminës financiare, janë amnistuar plotësisht, kanë marrë qytetarinë politike dhe janë deleguar në vatrat e rëndësishme financiare. Atëherë, përse Rama, në gjithë fjalorin e tij parazgjedhor, dy herë radhazi, premtoi të njëjtën gjë dhe nuk bëri asgjë? Përse oligarkët më të afërt financiarisht të Berishës u bënë njëlloj të afërt edhe për atë vetë dhe si bëhet ndarja e 20 për qindëshit të njohur? Rasti Ulaj është njëri prej tyre.
As edhe një ditë nuk u bë Wettingu medial i pasurisë së shefave të qeverisë Berisha, si një kusht paraprak që, edhe kur të largohen nga pushteti shefat e Rilindjes, të mos ketë asnjë investigim.
Në 29 vite kemi humbur shumë. Aq shumë sa që kurrizi ka mbetur i thyer dhe shpresa e vakët. Ndërsa oligarkët e politikës sonë janë pasuruar marrëzisht shpejt, janë bërë pronarët e rinj të shtetit, të cilin e thyen në mes, e grabitën barbarisht, e privatizuan, e ndanë mes tyre, e shkatërruan dhe e plaçkitën. Nëse dikush do të kërkojë të gjejë një parlamentar të sotëm me pasuri të zakonshme, frut i djersës së tij, do e shohë shumë shpejt se ky është një mision i pamundur.
Monstrat e politikës kanë gllabëruar gjithçka. Ata, edhe kuvendarët, i kanë vënë në radhë, nga frika se, një ditë të bukur, sipas dëshirës së shefave, të cilët zihen, grinden, shahen me libër shtëpie, por që janë solidarë në mbajtjen e një kodi zgjedhor unik në vetvete, ku dora e Njëshit është, ose dora e përfitimit, ose dora e ndëshkimit.
Asnjëri nga monstrat e tashëm të politikës, në dy krahët e saj, nuk kanë bërë të njohur pasurinë e tyre, si e kanë fituar, me çfarë i kanë ngritur vilat e pashoqe, si i kanë blerë apartamentet e shumtë, kush e financon jetën e tyre politike….dhe, befas, dalin deputetë të vjetër me pasuri “të dhuruar” nga baballarë, si prokurorë e gjyqtarë mafiozë.
Debati i fundit parlamentar është një dëshmi e mjerimit të politikës dhe e heshtjes sonë ndaj tij.
Askush nuk e di se deri kur…