Politike25 Shtator 2018, 17:18

Shkruar nga Pamfleti

Njeriu 'i hekurt' i BE merr ‘timonin’ e kriminelëve në dorë, sjell në Tiranë ekspertizën evropiane për të luftuar krimin

Është zbardhur takimi mes ambasadorit të BE, Luigi Soreca, dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Që në nisje të takimit, të dy palët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm me Delegacionin dhe Ambasadorët e vendeve anëtarë të BE-së dhe konfirmuan gatishmërinë për ta konsoliduar më tej këtë klimë pozitive bashkëpunimi.

Ministri i dorëzoi Ambasadorit, Dokumentin e Prioriteteve dhe Planin e Veprimit, si dhe e informoi rreth rezultateve të deritanishme të punës së Ministrisë së Brendshme.

Ai e njohu z. Soreca në mënyrë të hollësishme me rezultatet e fundit të Policisë së Shtetit në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”; procesin e Vetting-ut në Polici, për të cilin kërkoi asistencë dhe ekspertizë për mbarë-vajtjen e tij.

Gjithashtu, bashkëbiseduesit u ndalën në rëndësinë e projektit të Policimit në Komunitet, duke i dhënë rëndësinë e duhur procesit në nivel vendor.

Ambasadori vlerësoi maksimalisht arritjet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Ai u shpreh se mbetet i gatshëm të ofrojë edhe ekspertizën e tij, në fushën e sigurisë. “Lufta kundër krimit të organizuar, çëshjet e sigurisë dhe migracioni do të mbeten prioritete edhe në muajt në vijim”, nënvizoi z.Soreca.

Ministri konfirmoi se prioritetet e Ministrisë së Brendshme përputhen me ato të BE-së. “Duam të konsolidojmë dhe thellojmë marrëdhëniet me Delegacionin, duke vendosur një komunikim intensiv”, u shpreh z.Xhafaj.

Ambasadori pati një vlerësim të veçantë për operacionin ndaj grupit kriminal “Bajri” në Shkodër, duke theksuar rëndësinë e njohjes së rezultateve pozitive. Ministri e falëndëroi z.Soreca për inkurajimin dhe mbështetjen që Delegacioni dhe Ambasadori i ri, i ka dhënë edhe personalisht punës dhe rezultateteve të Policisë së Shtetit.

Ambasadori i BE-së në Tiranë u angazhua për t’i dhënë shtysë procesit të hapjes së negociatave, duke punuar fort për të bindur edhe ato shtete skeptike, mbi ecurinë dhe progresin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

Politike Fatmir Xhafaj Krimi i organizuar Luigi Soreca