Aktualitet27 Mars 2019, 14:29

Njeriu i Ramës te pastrimi i parave emërohet drejtor i Doganave, justifikoi futjen e parave në zgjedhjet 2017

Shkruar nga Pamfleti

Njeriu i Ramës te pastrimi i parave emërohet drejtor i Doganave, justifikoi futjen e parave në zgjedhjet 2017

Arlind Gjokutaj që lejoi tërheqjen masive të parave nga bankat në muajin prill e maj të para dy viteve për t’i përdorur për blerjen e zgjedhjeve dhe “zhytjen” e euros, tashmë do të ketë në dorë “traun” e doganave shqiptare, duke e garantuar vendosjen e tyre në shërbim të Ramës dhe klientelës së tij oligarkike. Kryeministri vendos në krye të institucioneve me lekë njerëzit e tij, ndërsa nuk është çudi që nën shembullin e Elisa Spiropalit dhe Belinda Ikonomi të bëhet ministre dhe deputete në të ardhmen

Shkarkohet nga detyra Drejtoresha e Doganave. Mësohet se Belinda Ikonomi, që ka mbajtur këtë post deri më tani do të bëhet zv.ministre e Ekonomisë dhe Financave.

Ne vend te saj te Doganat do të jetë Arlind Gjokutaj, Drejtori i derisotëm e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Ky është lajmi zyrtar dhe arësyeja përse është bërë një rokadë e tillë në krye të doganave shqiptare, duke mos përbërë çudi që nën shembullin e Elisa Spiropali, nesër dhe Ikonomi të bëhet ministre dhe deputete në të ardhmen.

Por kush është Arlind Gjokutaj, që ka mbajtur për vite me radhë drejtimin e drejtorisë më të rëndësishme të luftës kundër krimit ekonomik në Shqipëri.

Jo më larg së katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit të vitit 2017, numri dy i qeverisë së asaj kohe, “teknikja” e PD Ledina Mandija i ka kërkuar Gjokutajt informacione për arsyet e tërheqjes masive të parasë nga bankat në muajin prill dhe maj, në kulmin e fushatës zgjedhore dhe nëse kjo lidhej me financimin e partive politike në zgjedhje.

Gjokutaj në shpjegimin e tij e lidh tërheqjen miliona eurove nga bankat, me pagesat që ka bërë kompania TAP, pastaj kalon tek  rritja e eksporteve, të shërbimeve, që kanë një prurje të valutës mbi normalen.

Më pas ai nxjerr një tjetër arsye kur thotë se bankat kanë ulur normat e interesit në minimum “në lekë janë thuajse zero, në euro thuajse zero, alternativa për investime në bono thesari është në minimumet historike, 2 për qind gati. Njerëzit nuk kanë alternativa investimi, ku t’i mbajnë ato lekë, janë totalisht të justifikuar edhe t’i tërheqin, t’i mbajnë edhe cash”.

Dhe në fund e mbyll shpjegimin e tij me një deklaratë anormale, sikur qytetarët nisin që në maj të shpenzojnë për pushimet e verës e deri edhe për periudhën e Vitit të Ri.

Një shpjegim absurd se nuk ka shqiptar që e beson se përgatitjet për festimin e vitit të ri fillojnë 9 muaj para 31 dhjetorit.

E vërteta e kulluar është se paratë e krimit, të trafikut të drogës dhe korrupsionit u tërhoqën nga bankat dhe bashkë me sasirat e mëdha në cash u futën në zgjedhje, duke blerë zgjedhjet por dhe duke bërë pastrimin e tyre me “bekimin” e institucionit të parandalimit të pastrimit të parave dhe me urdhër të qeverisë.

Ndërkohë që ashtu sikurse ka shkruajtur herë pas here “Pamfleti”, si kurrë më parë, deri fundjavën e zgjedhjeve, pati një rënie të pandalshme të euros si pasojë e hedhjes në qarkullim të shumave të mëdha në valutë dhe hyrjes së parave të drogës dhe krimit në Shqipëri.

Ndërkohë që shpenzimet e partive kanë qenë të mëdha deri në 25 qershor dhe dihet se financimi për fushatën i kërkohet atyre që ndër vite kanë përfituar nga partitë, përfshirë dhe njerëzit e krimit, trafikantët apo abuzuesit me pushtetin, të cilët i shërbejnë politikës.

Pikërish Arlind Gjokutaj, i cili legjitimoi pastrimin e parave dhe futjen e tyre në “punë” për blerjen e zgjedhjeve, tashmë do të ketë në dorë “traun” e doganave shqiptare, duke e garantuar vendosjen e tyre në shërbim të Ramës dhe klientelës së tij oligarkike./Pamfleti

codramol
smile

Kryesore justifikoi futjen e parave në zgjedhjet 2017 Njeriu i Ramës te pastrimi i parave emërohet drejtor i Doganave