
“Jam i skandalizuar që Lul Berisha lirohet herët nga burgu dhe që mund të ecë i lirë nëpër rrugët e Durrësit.” Një reagim i diplomatit amerikan, i cili për kë ka patur vesh ta dëgjojë e ka marrë sinjalin.
Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës liroi me kusht Lulzim Berishën i njohur si “i forti” i bandës së Durrësit. Me vendimin e Gjykatës së Apelit Lul Berisha ishte dënuar me 25 vite burg dhe i kishin mbetur vetëm 5 vite dënim për të kryer. Vendimi vjen pasi Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Trupi gjykues i vendosi si kusht Lul Berishës që: të mbajë kontakte me shërbimin e provës; të mos kryejë vepra penale; të mos shoqërohet me persona me precendentë penalë. Kreu i Bandës së Durrësit i ishte drejtuar i kishte kërkuar gjykatës lirimin nga burgu, me pretendimin se është i sëmurë rëndë.
Ndërkohë, javën që vjen pritet që Lulzim Berisha, ish-kreu i Bandës së Durrësit, të përballet me personin që tentoi ta ekzekutonte. Ahmet Ajetit, shtetasit kosovar që u pagua në vitin 2005 për të eliminuar Lulzim Berishën është ekstraduar nga Kosova në Shqipëri dhe Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën për rigjykim, duke qenë se është dënuar me 20 vjet burg në mungesë. Në seancën e djeshme, pritej që të kishte një ballafaqim mes tij dhe Lulzim Berishës, por ky i fundit nuk ishte prezent në sallë, pasi nuk ishte njoftuar për datën dhe orën e gjyqit.
Në këto kushte, seanca gjyqësore u shty për javën që vjen, ku pritet të jetë i pranishëm edhe Lulzim Berisha, i liruar me kusht vitin që shkoi. Në gusht të 2005, 35- vjeçari së bashku me Osman Karpuzin udhëtuan nga Tirana në Durrës për të vrarë Lul Berishën, por atentati dështoi. Nga hetimet rezultoi se kosovari u pagua 80 mijë euro që të vriste Lul Berishën.
Profil i Lulzim Berishës:
Lulzim Berisha drejtoi për 10 vjet me radhë “Bandën e Durrësit” mes vrasjesh e trafiqesh droge dhe armësh. Grupi që kishte vënë nën këmbë qytetin bregdetar për një dekadë do të merrte kthesë me vrasjen e një prej kapove të tij, Klodian Saliut.
Mbrëmjen e 26 shkurtit të vitit 2005 Klodian Saliu, së bashku me mikun e tij Osman Truma, ranë pre e një atentati në autostradën Tiranë -Durrës, në afërsi të fshatit Kozhas në Maminas. I riu i lindur në Spitallë, pronar i lokalit “Cikloar” u qëllua nga disa persona të paidentifikuar që po ndiqnin makinën e tij të tipit “Mercedes – Benz”. Miku i tij mundi të mbijetonte, por nuk i kishte parë atentatorët.
Banda e Durrësit ishte ndarë që prej vitit 2003 pas përplasjeve të Lul Berishës dhe Klodian Saliut. Pas vrasjes së Saliut, krahu i tij i drejtuar nga Idrit Dokle organizoi dy atentate për ta vrarë Lul Berishën, pasi e konsideronte si personin që kishte dhënë urdhërin për ekzekutimin e ish –mikut të tij, edhe pse ditën e vrasjes ai gjendej në Turqi. Në të dy rastet, vrasësit me pagesë nga Burreli, dështuan.
Një vit më vonë, në fillim të 2006, dy degët e bandës do të goditeshin nga autoritetet. Adriatik Coli, një anëtar i bandës, do t’i fundoste krerët dhe anëtarët e saj me dëshmitë e tij si bashkëpunëtor i drejtësisë. Coli e fajësoi Berishën për vrasjen e Dritan Sallakut më 17. 10. 1998 në Durrës; për vrasjen e Viron Currit e Arjan Pajës dhe plagosjen e Marsel Sotirit më 29. 10. 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit; për vrasjen Marsel Sotirit më 22. 08. 1999 në plazh, Durrës; për vrasjen e Dritan Dishës më 09. 07. 2000 në Shënavlash, Durrës; për vrasjen e Ervin Lames më 14. 01. 2002 në lagjen numër 3, Durrës dhe për trafik armësh dhe droge, raporton Lapsi.al.
Në vitin 2007 Lulzim Berisha do t’i hidhte poshtë akuzat.
Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me burg përjetë në të dy shkallët e saj, për vrasjet e mësipërme dhe për krijim të organizatës kriminale. Gjykata e Lartë, në korrik të vitit 2014 ia hoqi dënimin përjetë me argumentin se ky dënim nuk ekzistonte në kohën kur ai kishte kryer krimin. Po ashtu, nuk kishte as ligj për krijim të organizatës kriminale në atë kohë. Por për Lul Berishën u fol gjatë prej kohës kur u arrestuar deri tek heqja e dënimit përjetë. Arrestimi i tij dhe i anëtarëve të grupit rival që lindi nga banda e tij, nuk i ndalën gjakderdhjet në Durrës.
Emri i tij u përmend në vrasjen e vëllait të Klodian Saliut, Ndriçimit, më 23 korrik të vitit 2007. Ai u qëllua me dy plumba në gjoks në një lokal në lagjen 18 nga dy persona me motor.Lul Berisha u përfol se qëndronte edhe pas disa ngjarjeve të tjera. Më 19 nëntor të 2014 u ekzektua Leonard Murataj, një ish –rival i Lul Berishës. Ai u qëllua pranë lokalit të tij në afërsi të portit.
Shumë ngjarje kriminale që ndodhën në qytetin e tij të lindjes gjatë qëndrimit në burg lidhen fort me emrin e Lul Berishës. Flitet për bashkim të tij me Emiljano Shullazin. Aktiviteti i dy kapobandave ishte ai i gjobitjes së disa personave, biznesmenë të njohur në fushën e basteve sportive, tregtisë së kafesë dhe tregtisë së naftës. Pretendohet se Lul Berisha e drejtonte bandën e tij nga burgu dhe i delegonte urdhërat tek njerëz të besuar si Julian Meçaj e Marjel Fierza, Mond Çekiçi, e Plarent Dervishaj.
Edhe pse drejtues për afro 2 dekada i një prej bandave më të rrezikshme në vend, ai është i lirë, ndërsa anëtarët e tjerë janë të gjithë në qeli.