Aktualitet10 Gusht 2022, 10:37

“Non gratat” dhe spiunët në politikë, PS në aksion për të bllokuar dyshen Berisha-Meta: Do miratohet kërkesa e Autoritetit të Dosjeve, nuk ua drejtojmë dot bishtin!

Shkruar nga Pamfleti
“Non gratat” dhe spiunët në politikë, PS në

Foto Ilustruese

Mazhoranca planifikon t’i japë goditjen e radhës çiftit Meta-Berisha, duke miratuar në Kuvend propozimin e Autoritetit të Dosjeve për spiunët e sigurimit në politikë.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaron se ngjitja e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit në të gjitha majat e piramidës shtetërore ka bërë të domosdoshme miratimin sa më parë, në sesionin e ri parlamentar që nis në shtator, të ndërhyrjeve ligjore që janë depozituar tashmë për rishikimin e çertifikatës së pastërtisë të kujtdo që ka hyrë në politikë, si shërbëtor i Sigurimit të Shtetit.

Mirëpo, aksioni i socialistëve nuk mbyllet vetëm me Ilir Metën, pasi “non grata” britanike pritet të ndryshojë gjithçka edhe për Sali Berishën. Sipas Ballës, Kuvendi i Shqipërisë do të marrë masa edhe për situatën e papranueshme dhe absurde të krijuar së fundmi, ku një person i shpallur “non grata” nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar si Sali Berisha, vazhdon të përdhosë Parlamentin me praninë dhe gjuhën e tij.

“Ngjitja e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, një shërbimi sekret terrori, në të gjitha majat e piramidës shtetërore, ka bërë të domosdoshëm miratimin sa më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, në sesionin e ri që nis në shtator, të ndërhyrjeve ligjore që janë depozituar tashmë sipas propozimit të Autoritetit të Dosjeve, për të rishikuar çertifikatën e pastërtisë të kujtdo që ka hyrë në politikë me përgjues në trup, si shërbëtor i Sigurimit të Shtetit.

Kuvendi i Shqipërisë do të duhet të adresojë gjatë sesionit të ri edhe situatën e papranueshme dhe absurde prej një viti se si një sekretar partie i shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij.

Ne nuk ia drejtojmë dot bishtin as non gratës as bashkëpunetorëve, por ne nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë të keqen të vazhdojë të bëjë moral me shpresën se do të hajë kokën e vet, madje absurdi të shkojë deri aty sa këta lloj të bërtasin për drejtësi, kur janë vetë ata që kanë hesapet më të mëdha me drejtësinë dhe Shqipërinë”- shkruan Balla.

Më herët, Autoriteti i Dosjeve zbuloi se ish-Presidenti, ish-Kryeministri dhe ish kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta është politikani më i lartë që figuron me dosje si ish-spiun i Sigurimit të Shtetit. Ky institucion i kërkoi Kuvendit të verifikoi politikanët që dolën në të pastër në Komisionet në vitet ’90, si dhe të miratohen disa ndryshime në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë, me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten më.

Personi i cili dyshohet se është spiunuar në Sigurimin e Shtetit nga Ilir Meta është Filip Talo, për tentativë arratisje në kohën e komunizmit.

Kryesore Balla PS