Politike31 Janar 2023, 20:09

“Nuk do ketë paqe e stabilitet”, Berisha mbledh Kryesinë dhe kërcënon me trazira; por nuk jep ende asnjë datë për protesta

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk do ketë paqe e stabilitet”, Berisha mbledh Kryesinë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka vendosur të ngrejë qytetarët në protesta deri në rrëzimin e qeverisë.

Skandali “McGonigal” cilësohet nga opozita si një tregues i qartë se Rama është i korruptuar dhe ka punuar për asgjësimin e opozitës, e për këtë arsye Berisha ka kërkuar protesta.

Berisha mblodhi sot Kryesinë e partisë dhe pritej që të kishte një datë për nisjen e tubimeve, por në fjalën e tij ai lëshoi kërcënime e akuza dhe nuk tha se kur do të ngrihen demokratët për rrëzimin e Ramës.

Ne duhet të bëjmë mobilizimin e shqiptarëve për një përgjigje të fundit ndaj kësaj qeverie. Rama duhet larguar nga pushteti. Nuk do ketë paqe e stabilitet me një njeri që jo vetëm, shkelmon çdo ditë mbi lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Me një qeveri që vjedh çdo ditë fondet, pasuritë publike”, tha ai.

Më tej Berisha u shpreh se të gjithë kanë detyrimin të ngrihen në protesta. Sipas tij, Rama duhet të marrë përgjigjen e mëritur nga të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Çdo shqiptar ka detyrim t’i japë Ramës përgjigjen e merituar sepse ai kontraktoi një vrasës me pagesë për ekzekutimin e PD dhe pluralizmit politik në Shqipëri dhe ai është kapur nga drejtësia amerikane. Ti japim një përgjigje të mëritur Ramës dhe përfundimtare, si një armik i egër i aletit tonë kryesor. Si një njeri i pabesë që ose shfryn urrejtjen e etërve të tij kundër SHBA, ose verbëri e pushteti është kaq ekstreme sa e bën të aftë për çdo veprim për të qëndruar në pushtet. Çdo shqiptar ka ardhur koha t’i dalë zot Shqipërisë, të largojmë një minutë e më parë këtë kalbësirë. I cili në çdo anë që ta shohësh del i zi e më i zi”, tha ai.

Kryesia sot do të diskutojë pikërisht për mbajtjen e protestave dhe sipas informacioneve janë disa skenarë që po diskutohen. Mund të ketë një protestë ditën e enjte për të bllokuar Parlamentin, ndërkohë që po diskutohet për një datë mbi mbajtjen e një proteste kombëtare. Megjithatë Berisha nuk dha asnjë datë, por vetëm kërkoi mbështetje.

Ju bëj thirrje qytetarëve të ngrihen në protesta të fuqishme. Asnjë shqiptar që është sot në Shqipëri dhe kudo në botë, asnjë shqiptar që ka jetuar në këtë vend nuk meriton kurrë një kryeministër si ky që nuk ka asnjë parim as, flamur, as nder, as ideal, përveç interesit të ngushtë”, tha ai.

Skandali “McGonigal” ka shkaktuar reagime të shumta jashtë dhe brenda vendit dhe duket se opozita nuk do lejojë që të kalojë kaq lehtë ky debat, por nuk dihet ende se përse Berisha nuk del me një datë konkrete.

Politike Berisha kryesia Protesta