Aktualitet 7 Prill 2022, 19:31

“Nuk dua ta besoj se është dorëzim i shtetit përballë mafies”, Dom Gjergj Meta me kritika për legalizimin e kanabisit

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk dua ta besoj se është dorëzim i shtetit

Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta ka reaguar ashpër mbi nismën e kryeministrit Rama për legalizimin e kanabisit.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai shprehet se legalizimi i kanabisit është një Kalë Troje i drogave më të rënda në jetën e shumë të rinjve. Ai shprehet se pasojat që mund të sjellë kjo nismë do të jenë më të rënda sesa përfitimet.

“Për momentin po kufizohem të them se legalizimi i kanabisit (qoftë edhe për qëllime kinse mjekësore) është Kali i Trojës i drogave më të rënda në jetën e shumë të rinjve, sidomos në një vend ku ka papunësi dhe varfëri midis tyre. Ky legalizim mund të jetë gjithashtu paradhoma e shumë fenomeneve të tjera të dëmshme për shoqërinë, sikurse monopolet apo logjikat mafioze.

Personalisht më çudit fakti që një popullsi aq “konservatore” si kjo e jona qenka aq pro legalizimit të kanabisit, nëse është e vërtetë që procesi i konsultimit nga ana e qeverisë ka sjellë në këto rezultate”, tha ai.

Ipeshkvi shprehet se nuk do ta besojë që ky është një dorëzim përballë mafies, ndërsa shton se vetë Rama e ka pranuar që ka mbi një vit që punon për legalizimin e kanabisit.

“Nuk do të doja të besoja se disa nga këto ide janë si dikur “…me propozim nga poshtë e vendim nga lart” (për kujtesë më 9 maj 2020 kryeministri ka thënë se ka një vit që qeveria po punon me draftin e ligjit për legalizimin e kanabisit, d.m.th. qysh më 2019). Më keq akoma nuk dua të besoj se një nismë e tillë është dorëzim i shtetit përballë mafies së kultivimit të lëndëve narkotike. Kaq për momentin për lajmin e mundësisë së legalizimit të kanabisit që u artikulua këto dy ditë”, shkruan ai.

Aktualitet #Kanbisi Dom Gjergj Meta legalizimi