Aktualitet27 Janar 2019, 10:45

“Nuk është fjala vetëm për një prokuror, po të hapen dosjet pastrohet sitemi. Do ta bëjë BE dhe SHBA”

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk është fjala vetëm për një prokuror, po

"Nuk është fjala vetëm për një prokuror, po të hapen dosjet pastrohet sitemi. Do ta bëjë BE dhe SHBA"

Rindizet debati për dosjet e Sigurimit të Shtetit. Kur mazhoranca miratoi ligjin, pritej që sistemi i drejtësisë dhe politika të pastrohej nga spiunët e regjimit komunist. Por deri më sot mund të thuhet se asgjë nuk është bërë në këtë aspekt. Treguesi më i fundit vjen nga drejtësia, ku media dhe PD, kanë publikuar dje një dokument, teksa pretendohet se prokurori dhe anëtari i KLP, Bujar Sheshi ka pasur lidhje me ish-Sigurimin e Shtetit.

Për këtë arsye ditën e djeshme ka reaguar edhe ish-i përndjekuri Kurt Kola. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, Kola bëri fajtore klasën politike në këto 30 vite demokraci që nuk ka pasur vullnet për të hapur dosjet e ish-Sigurimit, ndërsa kërkoi në mënyrë urgjente që të zgjerohet fasha e verifikimeve. Sipas tij, ish-sigurimsat nuk janë vetëm në sistemin e drejtësisë por ata vijojnë ende të mbajnë poste shtetërore, deri në Parlamentin e Shqipërisë.

“Ka 30 vjet që ka rënë diktatura dhe ende nuk është hapur asnjë dosje. Ish-sigurimsat militojnë këta njerëz nga operativa, nga prokurorë, nga gjyqtarë, e me radhë në politikë deri tek presidentët. Kur nuk i kemi hequr ish-sigurimsat për 30 vjet, që nuk është pastruar sistemi, ç’rëndësi na ka dalë një prokuror tani si i lidhur me sistemin. Pra, në Shqipëri i ke të gjithë ose të lidhur me sistemin, nuk kanë qenë me poste por i trashëgojnë nga familjet e tyre, ose janë të sistemit që asokohe kanë pasur lidhje dhe sot janë në poste shtetërore apo të administratës. Këtu askush nuk e do që të hapen dosjet e ish-sigurimit, pasi politika është duke bërë një lojë politike, sidomos e pasardhësve të sistemit komunist. Unë jo vetëm që e mbështes hetimin që të hapen dosjet e sigurimit në politikë apo ku do tjetër, por po të ishte për mua do ta kisha hapur dosjet që në vitin 1992”, deklaron Kola.

 Gjatë fjalës së tij, Kola shprehu edhe një herë bindjen e tij se hapjen e dosjeve e ka bllokuar qëllimisht politika shqiptare gjatë këtyre viteve, pasi sipas tij, nëse dosjet dalin në dritë shumë politikan do të dalin si të lidhur me regjimin komunist. Megjithatë, pavarësisht kësaj zvarritjeje të qëllimshme, Kola deklaroi se nëse një ditë në Shqipëri do të hapen dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, ato sipas tij, do të hapen me ndihmën ndërkombëtarëve, kryesisht Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës.

“Këtu një pjesë e madhe e politikës nuk do që të hapen dosjet e ish-sigurimit, pasi dalin që janë të lidhur me të. Ne kemi shpresën se fashën e hetimit dhe hapjen e dosjeve të ish-sigurimit do ta bëjë Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi po qe për politikën këtu as ka për t’u bërë gjë. Ne kemi kërkuar që në vitin e 1992 që të hapen dosjet, unë personalisht e kam kërkuar që te Sali Berisha dhe të gjithë me radhë, që të hapen dosjet dhe të fillojnë me ne ish-të burgosurit. Por askush nuk e pranoj kërkesën tonë, sepse po të hapeshin dosjet pastrohej sistemi”, nënvizoi ditën e djeshme ish-i përndjekuri i regjimit komunist.

Aktualitet BE SHBA