Aktualitet19 Maj 2019, 14:13

Nuk janë në zgjedhje, por PD dhe LSI dorëzojnë zyrtarisht emrat e anëtarëve për çdo KZAZ

Shkruar nga Pamfleti
Nuk janë në zgjedhje, por PD dhe LSI dorëzojnë zyrtarisht

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim depozituan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat me anëtarët e tyre në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve.

Edhe pse nuk janë regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit, dy partitë më të mëdha në opozitë, duke pretenduar për shkelje të rënda me procesin zgjedhor kanë vendosur të regjistrojnë anëtarët e tyre në çdo KZAZ.

Sekretari për Çështjet Zgjedhore të PD-së, Ivi Kaso, dhe përfaqësuesi i LSI-së depozituan në KQZ emrat e tyre dhe do të jetë vendimi që KQZ do të marrë që do të zyrtarizojë këtë kërkesë të opozitës. Kaso ka paralajmëruar çdo anëtar të KZAZ-ve se do të japin llogari ligjore për çdo veprim të kundërligjshëm që po kryejnë.

“Anëtarët tanë do të dokumentojnë në çdo Komision Zonal manipulimin e dokumentacionit apo tentativat për regjistrimin e kandidatëve në kundërshtim me ligjin.

PD paralajmëron sot çdo anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apo KZAZ-ve se do të mbajnë përgjegjësi penale për shpërdorim detyre për çdo shkelje të ligjit, për çdo regjistrim kandidatësh në kundërshtim me ligjin dhe me dokumente të falsifikuara”, tha Kaso.

Partitë e opozitës, përmes drejtuesve të tyre politikë, janë shprehur se zgjedhje në 30 qershor nuk do të ketë. Marrja e drejtimit të gjysmës së Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor nga opozita dhe realizimi i një skenari të mundshëm për tërheqjen e tyre gjatë ditës së zgjedhjeve mund ta vendosë në pikëpyetje të gjithë procesin në 30 qershor.

Ndërkohë, që në diskutim mund të jetë edhe arritja e një marrëveshjeje të mundshme mes palëve, kur edhe zërat ndërkombëtarë që kërkojnë dialog janë shtuar. Në rast të një skenari të tillë, me dërgimin e anëtarëve të saj në të gjitha KZAZ-të, opozita po përgatitet për të qenë në një proces, faktor i plotë dhe jo spektator i minutës së fundit. /Panorama

Uncategorized