Kosova14 Maj 2022, 16:39

"Nuk ka alternativa përveç NATO-s dhe BE-së”, Kurti takon gjeneralin amerikan: Kosova e përkushtuar për stabilitet

Shkruar nga Pamfleti
"Nuk ka alternativa përveç NATO-s dhe BE-së”, Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pasur një takim me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s në SHBA, gjeneralmajorin Benjamin J. Corell. Sipas Kryeministrisë, Kurti kërkoi mbështetja për ngritjen profesionale të FSK-së.

Lidhur me situatën e sigurisë në Evropë, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, kryeministri tha se Kosova është e përkushtuar për stabilitet dhe siguri në rajon dhe nuk ka alternativë tjetër përveç NATO-s, SHBA-së dhe BE-së.

Kurti po ashtu u shpreh mirënjohës për shërbimin e pjesëtarëve të Gardës Kombëtare të Iowas në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR dhe për kontributin e deritashëm për Forcën e Sigurisë.

Ai theksoi angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë për ngritjen profesionale të FSK-së. “Synimi ynë është të kemi Forcë që është e aftë të përmbushë detyrat e veta kushtetuese në mbrojtje të vendit dhe të jetë e ndërveprueshme me partnerët dhe aleatët në ruajtjen e paqes në botë”, tha kryeministri Kurti.

Ai nënvizoi nevojën për zhvillimin e mëtutjeshëm të aftësive, rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e pajisjeve të reja dhe të avancuara për FSK-në.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, koloneli Ejup Maqedonci, dhe shefi i Misionit në Konsullatën në Iowa, Artan Duraku.

Prishtine Gjeneral? Kurti SHBA