Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, reagon përsëri rreth zhvillimeve të fundit në kufirin me Kosovën, duke u shprehur se pala kosovare po kërkon njohjen, por kjo sipas tij, nuk ka për të ndodhur.
Situata, tha presidenti serb, duhet të kthehet sic ishte në 20 shtator e më pas të vazhdojnë bisedimet. Vendosja e reciprocitetit të targave të automjeteve nga Serbia shkaktoi reagime të forta dhe tensionet ne veriun e Kosovës, ende nuk janë ulur.
“Ne u thamë atyre, nuk ka problem, tërhiqni ROSUN dhe do të flasim. Çfarë veprimesh bëri Serbia? Këtë radhe nuk ka bërë gjë. Të gjithë i pengon një Serbi e fortë. Ata duan që Serbia t’i njohë. Unë nuk do të pajtohem me atë që duan ata. E përsëris, ktheni gjendjen që ishte para 20 shtatorit, e ndoshta mund të flasim. Thërrisni NATO-n, telefononi këdo, por nuk do të merrni pëlqimin e Serbisë.
Ata kanë interesat e tyre, e kjo është që Kosova të jetë e pavarur e ta detyrojë Serbinë të marrë pjesë në atë që nuk është në interes të saj. Por jo, kur filloni të gënjeni kështu vazhdon. Ju shesin 5 kilogramë portokaj për 1000 dinarë. E pastaj vijnë policët e të thonë edhe 300 dinarë. Unë nuk paguaj leket dhe nuk do t`i jap ato 300 dinarë”, është shprehur Vucic.
Një ditë më parë, teksa i i bëri thirrje serbëve të mos bllokojnë rrugët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “nuk e kuptonte inatin plot vrer të presidentit të Serbisë, në një kohë kur ai e dinte shumë mirë se në 15 shtator skadonte afati i marrëveshjes, të cilën vetë Beogradi e ka pranuar në Bruksel”.