Showbiz23 Shtator 2022, 10:06

Nuk ka më kthim pas, Wanda Nara dhe Mauro Icardi njoftojnë divorcin

Shkruar nga Pamfleti

“Bomba shpërthen”, Wanda Nara dhe Mauro Icardi njoftojnë divorcin duke ndjekur rrugë të ndryshme në jetën private.

Saga e gjatë e zërave për një krizë të mundshme merr fund, pasi çifti më i përfolur i Argjentinës ka vendosur t’i japë fund lidhjes që nisi nga një tradhti, ajo e modeles ndaj ish-bashkëshortit Maxi Lopez që, për më tepër, ishte shok me Icardin që sot ka përfunduar te Galatasaray.

“Është një vendim shumë i dhimbshëm, por duke parë spekulimet e shumta në lidhje me jetën time, preferoj ta bëj publike vetë ndarjen nga Mauro Icardi. Nuk kam asgjë për të deklaruar dhe nuk dua të jap asnjë detaj. Ju lutem të më kuptoni, jo vetëm mua por edhe fëmijët tanë”, shkruan Nara që me Icardin ka lindur dy fëmijë, ndërsa nga martesa e parë tre të tjerë.

Zërat e divorcit janë dëgjuar fortë gjatë muajve të fundit edhe pse janë përgënjeshtruar vazhdimisht, madje Nara në cilësinë e agjentes së sulmuesit, punoi që ai të transferohej nga PSG te Galatasaray pasi në klubin francez u shpall i padëshiruar nga trajneri Galtier edhe për shkak të historisë me modelen argjentinase që e kushtëzoi jo pak karrierën e tij.

Wanda u martua me Maxi Lopez në vitin 2008 me të cilin solli në jetë tre fëmijë dhe u divorcua në vitin 2013 pas akuzave të shumta për tradhtitë e sulmuesit por edhe të vetë biondes me shokun e bashkëshortit, Mauro Icardi që në atë kohë luante për Sampdorian. Një çështje që mbërriti deri në dyert e kombëtares dhe nuk i pëlqeu aspak Lionel Messit që vendosi veton për përjashtimin e Icardit nga Argjentina.

Ndërkohë, Nara dhe Icardi u martuan në vitin 2014 dhe sollën në jetë dy fëmijë, ndërsa Nara u bë edhe agjentja e lojtarit duke e transferuar atë te PSG pasi Interi kërkoi ta largonte për shkak të zhurmës që shkaktonte në ambjentin zikaltër lidhja e tyre.

Në Paris lindën edhe dyshimet e para për një tradhëti të mundshme të Icardit me modelen China Suarez dhe sot është dita kur gjithçka mbyllet me një divorc të dhimbshëm.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Lifestyle divorc Mauro Icardi wanda nara