Aktualitet14 Qershor 2022, 20:11

Nuk ka mëshirë nga Uashingtoni, Meta asnjë takim me zyrtarët vendas gjatë vizitës në SHBA

Shkruar nga Pamfleti
Nuk ka mëshirë nga Uashingtoni, Meta asnjë takim me zyrtarët

Presidenti Ilir Meta nuk është pritur nga asnjë zyrtar amerikan gjatë vizitës në SHBA. Ai zhvilloi një vizitë në Nju Jork, ku mori pjesë në festën e themelimit të Shoqatës Vatra. Por përveç takimit me kreun e saj Elmi Berisha, nuk pati asnjë takim me përfaqësues të lartë në SHBA.

Ndonëse presidenti mund të justifikohet se vizita ishte në nder të shoqatës, fakti është se Meta ka nisur një aksion për të sheshuar raportet me amerikanët. 24 korriku po afron dhe frika e Metës se mund të shpallet “non grata” po shtohet ndjeshëm. Ai po mundohet që të gjejë mëshirë te amerikanët dhe duket se plani nuk po i funksionon aq sa duhet.

Vizita në SHBA duket se ka qenë më e thellë sesa e reklamoi Meta. Ajo erdhi befas pas dy takimeve që presidenti pati me ambasadoren Yuri Kim. Fillimisht ata u takuan në konferencën për votën e diasporës. Më pas në një pritje që ambasadorja pati me ish-ministrat e Jashtëm. Befas Meta udhëtoi në SHBA, duke tentuar të japë përshtypjen se ai udhëton lirisht atje dhe se po punon për të forcuar raportet me amerikanët.

Në fakt Meta nuk u prit nga asnjë përfaqësues amerikan. Politikanët shqiptarë historikisht i kanë shfrytëzuar vizitat në SHBA për të treguar mbështetjen që kanë, por Metës duket se nuk i eci. Amerikanët nuk e kanë takuar kur kanë vizituar Shqipërinë, jo më ta prisnin në takim në SHBA.

Nga përfaqësues të DASH, te senatorë e kongresmenë e kanë refuzuar Metën kur kanë qenë në Tiranë. Duket se dhe në SHBA presidenti nuk ja doli të organizonte një takim me përfaqësues të shteti amerikan.

Juristi Kreshnik Spahiu përmes një postimi në rrjetet sociale ka ironizuar këtë vizitë, duke deklaruar gjithashtu se askush nuk e priti Metën. “Axhenda e Presidentit Ilir Meta në SHBA:  Takim me shoqatën e pensionistëve Vatra; mëngjes: kafe me 7 student skraparlli në SHBA; Blerje kostumesh dhe kollaresh në China Toën; Drekë dy këngëtare dasmash shqiptare Neë Jersy; Intervistë me Radion shqiptare; Foto tek kangjellat e Shtëpisë Bardhë nga trotuari; Foto me policin e trafikut rrugor; Foto me stjuardeset e United Airline ne kthim”, ka shkruar ai.

Pas takimeve të Metës me Kim u ngritën pikëpyetje nëse do të shpallet apo jo non grata pas 24 korrikut. Sinjalet janë se presidenti vijon të jetë halë në sy për Uashingtonin. Takimet me Kim kanë qenë sporadike dhe aspak zyrtare. Nëse vërtet Meta do i kishte qetësuar ujërat me amerikanët, nuk do kishte lënë zyrtar pa takuar në SHBA. Në fakt ai u takua me disa kalamaj dhe disa shqiptarë që i kërkuan të bënin foto. Por fakti që u kthye me duar në xhepa dëshmon se plani për të gjetur mëshirë te amerikanët ka dështuar. /Pamfleti

Kryesore Kim Meta SHBA