Një ligjvënës demokrat ka depozituar të martën një aktpadi ndaj Donald Trump-it të cilin e akuzon për nxitje të rebelimit vdekjeprurës ndaj Kapitolit dhe për komplot me avokatin e tij e grupet ekstremiste, në një përpjekje për të penguar Senatin që të çertifikonte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.
Padia e ngritur nga ligjvënësi i Misisipit Bennie Thompson, kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve, është pjesë e një vale të pritshme çështjesh gjyqësore mbi trazirat e 6 janarit dhe besohet të jetë e para e ngritur nga një anëtar i Kongresit. Ai kërkon kompesim e masa ndëshkuese të cilat nuk janë bërë ende të ditura.
Çështja gjithashtu përmend si të pandehur avokatin personal të ish-presidentit republikan, Rudy Giulianin si dhe grupe të tilla si “Proud Boys” (Djemtë Krenarë) dhe “Oath Keeper” (Mbajtësit e Betimit), organizata ekstremiste, anëtarë të të cilave janë paditur nga Departamenti i Drejtësisë lidhur me pjesëmarrjen e tyre në sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit.
Avokatët e zotit Trump i kanë hedhur poshtë akuzat se ai ka nxitur rebelimin. Një këshilltar i zotit Trump dhe një avokat i zotit Giuliani, ende nuk i kanë kthyer përgjigje një emaili ku u kërkohej një koment mbi çështjen.
Padia e depozituar në gjykatën federale në Uashington, e cila bazohet tek një ligj i njohur si “Akti i Ku Klus Klanit” i miratuar gjatë të ashtuquajturës periudha e Rindërtimit (që pasoi luftën civile), vjen tre ditë pasi zoti Trump u shpall i pafajshëm nga Senati lidhur me akuzën për nxitje të rebelimit, një ngjarje gjatë së cilës humbën jetën pesë persona. Ky zhvillim ka të ngjarë t’i hapë rrugën sfidave të reja ligjore lidhur me veprimet e zotit Trump para dhe gjatë sulmit të dhunshëm.
Edhe disa republikanë që votuan të shtunën për shpalljen e zotit Trump të pafajshëm e pranuan se vendi i duhur për t’u përballur me të janë gjykatat, veçanërisht tashmë që ai është larguar nga Shtëpia e Bardhë dhe ka humbur mbrojtjen ligjore, që e kishte të garantuar për shkak të detyrës si president.
Padia gjurmon përpjekjen e vazhdueshme nga zoti Trump dhe zoti Giuliani për të hedhur dyshime mbi rezultatet e zgjedhjeve edhe pse gjykatat në të gjithë vendin dhe zyrtarët shtetërorë të zgjedhjeve, në mënyrë të përsëritur i kishin hedhur poshtë pretendimet e tyre të pabazuara për manipulim në zgjedhje./VOA