Kosova 4 Nëntor 2019, 07:50

Nuk kanë munguar debatet në distancë për qeverinë e re, LDK e LVV zhvillojnë sot takimin e pestë

Shkruar nga Pamfleti
Nuk kanë munguar debatet në distancë për qeverinë e re,

Sot pritet të mbahet takimi i radhës mes grupeve punuese të Lëvizje Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në përpjekje për të harmonizuar programet për qeverisjen e ardhshme të vendit.

Ky do të jetë takimi i pestë mes këtyre grupeve punuese, ndërsa në të fundit thanë se janë pajtuar në masë të madhe për çështje të sigurisë dhe sundimit të ligjit. Kësaj radhe, takimi do të mbahet në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndryshe, pavarësisht takimeve, ka pasur edhe debate në distancë.

Deklarata e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri se zgjedhja e kryeministrit duhet të kalojë përmes zyrave të kësaj partie, pasi sistemi aktual zgjedhor në Kosovë asnjë partie nuk ia mundëson ta formojë qeverinë e vetme, ka shkaktuar reagime në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Më herët zyrtarët e të dyja partive kanë thënë se nuk janë marrë vesh ende për ndarjet e posteve ministrore, por kreu i LDK-së Isa Mustafa të premten tha se derisa të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, LDK vazhdon ta ketë Vjosa Osmanin kandidate për kryeministre. Por, kandidatët për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati e Avni Zogiani, ishin në mesin e atyre që reaguan ndaj deklarimeve të Hazirit, duke thënë se ato nuk i bëjnë nder LDK-së.

Prishtine