Kronike10 Shkurt 2023, 11:12

“Nuk kemi informacion për fatin e familjarëve nga tërmeti”/ Gjykata liron 5 turqit që u kapën me pasaporta false në Durrës

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk kemi informacion për fatin e familjarëve nga

Pesë turqit dhe anglezi Joshua Smith që u kapën në Durrës dolën para gjykatës së Durrësit. Gjykata vendosi t’i lirojë 5 turqit për të cilët caktoi masën “detyrim paraqitjeje” pranë policisë gjyqësore. Për anglezin u vendos garanci pasurore në vlerën e 2000 eurove për lirimin dhe hetimin në gjendje të lirë.

“Jemi nga zona e tërmetit, Kahramanmarash, dhe nuk kemi asnjë njoftim për fatin e familjeve tona atje. Donim të shkonim në Itali. Erdhëm këtej para fatkeqësisë që goditi vendin tonë.” – është dëshmia e turqve para trupës gjykuese, duke u shprehur të shqetësuar për atë që po ndodh në vendin e tyre.

Mehmet Komesogutlu, Mehmet Delice, Ali Atmaca, Hasan Karaoglan dhe Mehmet Hamurkesen, të moshës 19-31 vjeç deklaruan se janë ndihmuar miqësisht nga miku i tyre, ndërsa synonin të shkonin në Itali për të punuar e siguruar të ardhura më të mira për familjet e tyre.

Gjashtë të huajt u arrestuan në portin detar të Durrësit gjatë një operacioni policor të koduar “Pasaporta”. Joshua Smith u kap duke i transportuar me një automjet që drejtohej prej tij shtetasit turq që synonin kalimin e kufirit me tragete drejt Italisë, në kundërshtim me ligjin. Gjatë kontrollit, të ushtruar mbi bazën e analizës së riskut, rezultoi se shtetasit turq do të dilnin nga vendi ynë, duke përdorur pasaporta bullgare të falsifikuara të cilat dyshohet se ua kishte siguruar 41-vjeçari anglez.

Kronike 5 turqit Gjykata e Durrësit