
Në kufijtë në lindje, jug dhe perëndim të Rusisë, mijëra rusë po përpiqen t’i shpëtojnë mobilizimit në ushtri. Në vendkalimin Zemo Larsi në kufirin me Gjeorgjinë, radha e makinave të enjten ishte kilometrike. Skena të ngjashme kishte edhe në kufijtë e Kazakistanit dhe Mongolisë.
Trafiku është më shumë se dyfishuar në kufirin e Rusisë me Finlandën. Mes të larguarve ishte edhe 34-vjeçari Nikita, i cili nuk donte të jepte emrin e tij të plotë.
“Po, kam frikë. Sepse është një gabim shumë i madh, për Rusinë, për Evropën dhe, natyrisht, për qytetarët e Ukrainës”, tha një qytetar.
Gjermania tha se, sipas rasteve, do të ofronte strehim për rusët që largohen nga thirrja e detyruar në ushtri. Por disa vende të tjera evropiane, përfshirë fqinjët e Rusisë, po e kufizojnë hyrjen për qytetarët e saj.
Nga ana tjetër në disa zona kanë vijuar protestat pavarësisht përdorimit të dhunës nga policia. Mësohet se mbi 1 mijë persona janë arrestuar deri më tani.
Në Moskë, agjencia e lajmeve AFP raportoi se ishte dëshmitare e një demonstruese ku qytetarët bërtisnin: “Ne nuk jemi mish për top”.
Dhe në Shën Petersburg, qyteti i dytë më i madh i Rusisë, një burrë u tha gazetarëve: “Unë nuk dua të shkoj në luftë për Putinin”. Shtatëdhjetë vjeçarja Natalya Dubova i tha AFP se ajo kundërshtoi luftën dhe rrëfeu se kishte “frikë që të rinjtë” të shkonin në front.