Politike 5 Gusht 2022, 15:19

Nuk ndalet dyshja opozitare, pas Berishës edhe Meta thirrje qytetarëve të mos blejnë apartamente pranë Portit të Durrësit

Shkruar nga Pamfleti
Nuk ndalet dyshja opozitare, pas Berishës edhe Meta thirrje qytetarëve

Ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha duket se janë bërë një front i pandashëm. Akuzat e vjetra si “Like floriri”, apo se “pas malit të Dajtit rëndojnë dy varre mbi Ilir Metën” janë harruar. Dje Meta e Berisha shtrënguan duart në protestë dhe sot janë hedhur të dy në sulm, duke qenë në sintoni të plotë.

Gjatë një koference për mediat, Berisha sulmoi qeverinë mbi projektin për Portin e Durrësit. Ai u shpreh se ajo është një aferë korruptive dhe ftoi qytetarët që të mos blejnë apartamente aty.

E morët vesh që në Portin e Durrësit kanë nisur të shesin apartamente. U bëj thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimit se do jenë subjekt konfiskimi. Mos vendosni asnjë investim në një skemë gjigante vjedhje që shkon deri në 4-5 miliardë euro”, u shpreh Berisha.

Por kreu i Partisë së Lirisë ka nxitur me vrap të bëjë të njëjtën thirrje. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ju kërkon qytetarëve që të mos blejnë apartamente në atë zonë.

I ftoj të gjithë qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve dhe të mos shpenzojnë asnjë qindarkë për blerjen e apartamenteve në Projektin e Portit të Durrësit, që nuk është gjë tjetër veçse një skemë e pastër piramidale për vjedhjen e parave tuaja. Në mungesë të plotë transparence, për këtë të ashtuquajtur Projekt, nuk është publikuar asnjë memorandum, kontratë apo informacion se si do të bëhet ndarja e të ardhurave. Është vetëm një aferë e pastër korruptive, që synon t’ju grabisë paratë dhe asgjë më shumë! U bëj thirrje organeve të Drejtësisë të reagojnë menjëherë dhe të ndërhyjnë për të penguar nënshkrimin e çdo kontrate paraprake shit-blerje, në kundërshtim të ligjit dhe në dëm të qytetarëve”, shkruan Meta.

Politike Berisha Meta