Sport12 Maj 2022, 17:13

“Nuk ua jap miqve të mi”, Klop ankohet për biletat e finales së Championsit, presidenti i UEFA-s e merr në telefon

Shkruar nga Pamfleti
“Nuk ua jap miqve të mi”, Klop ankohet për biletat e

“Nuk ua jap miqve të mi”, Klop ankohet për biletat e finales së Championsit, presidenti i UEFA-s e merr në telefon

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka folur personalisht me trajnerin e Liverpulit, Jyrgen Klop, pas kritikave të këtij të fundit lidhur me numrin e biletave për klubet finaliste të Champions-it dhe çmimet e tyre. 

Klop mbështeti grupin e tifozëve të Liverpulit “Shpirti i Shenklit” një javë më parë, pasi ata akuzuan UEFA-n se i kishte privuar tifozët të ndiqnin finalen me Realin në Paris më 28 maj. 

Në total do të ketë 75 mijë bileta në “Stade de France”, por secili klub ka në dispozicion vetëm 19.618 vende, ndërsa 12 mijë bileta të tjera u nxorën në shitje të lirë me një short që u mbyll muajin e shkuar. Pjesa e mbetur do të shkojë për “familjen” e UEFA-s, sponsorët dhe zyrtarët. Më shumë se 1/5-ta e biletave të Liverpulit (kategoria 1 dhe 2) do të kushtojnë mes 410 dhe 578 paund. Pothuajse 56% do kenë çmim 125 paund dhe gati 25% do kushtojnë 50 paund. 

“Është absolutisht e padrejtë, por ndodh kudo. Ti jo vetëm po paguan më shumë sesa herën e fundit një biletë, por merr vetëm 50% të tyre dhe pjesa tjetër shkon për njerëzit që paguajnë mijëra dhe mijëra për një biletë”, tha Klop. 

Por Çeferin, i cili, me sa duket, e ka numrin e Klopit, tha dje nga kongresi i UEFA-s në Vjenë: 

“Unë ia shpjegova të njëjtën gjë njërit prej trajnerëve të dy ekipeve finaliste pak ditë më parë dhe po e bëj sërish. Nga të ardhurat e finaleve UEFA merr 6.5% dhe 93.5% shkon për klubet. Nga ndeshjet e tjera, 100% e të ardhurave shkon për klubet. Tifozët e të dyja ekipeve marrin 20 mijë bileta secili. Nëse sponsorët paguajnë 100 milionë apo më shumë euro sponsorizime dhe 93.5% shkojnë te të njëjtat klube dhe ato përfitojnë disa bileta, kjo është pjesë e detyrimeve kontraktuale që ne kemi. 

UEFA nuk merr më shumë bileta se të tjerët. Unë nuk dhuroj bileta për shokët dhe as ua shes atyre. Ky është një sistem që funksionon”. Çeferin u ndal edhe te klubet rebele që tentuan Super Ligën, Realin, Barçën dhe Juven: 

“Për mua ai projekt është varruar përgjithmonë ose të paktën për 20 vite. Nuk e di se çfarë do të ndodhë më vonë.”, u shpreh Çeferin. 

Sport Aleksander Ceferin Jurgen Klop Presidenti i UEFA-s trajneri i Liverpulit