Aktualitet 8 Qershor 2022, 18:38

Ohri, një samit politik i Ballkanit pasi ka zbuar Rusinë

Shkruar nga Pamfleti
Ohri, një samit politik i Ballkanit pasi ka zbuar Rusinë

Ohri, një samit politik i Ballkanit pasi ka zbuar Rusinë

Sikur edhe Albin Kurti të ishte sot në Ohër, do të kishim 3 krerë shtetesh etnikisht shqiptar, dy serbë dhe një maqedonas që vjen nga një qytet shqiptar si Kumanova… Në Ohër, në vitin 2001 është firmosur marrëveshja mes shqiptarëve dhe maqedonasve që të jenë të barabartë në një shtet që do të ndajnë qeverisjen. Kurse në Kumanovë, në vitin 1999, u firmos kapitullimi dhe largimi final i trupave ushtarake e policore serbe nga Kosova. Ndaj Ohri ishte një samit Politik- të ishte Albin Kurti, ai takim do ta fuqizonte edhe më shumë faktorin shqiptar…

Shkruan Ylli Pata 

Edhe pse Edi Rama, kryeministri shqiptar, ishte politikani që ka përmendur dhe replikuar me Sergej Lavrovin në Samitin e Ohrit të “Ballkanit të Hapur”, realisht dy protagonistët ishin Dimitar Kovaçevski dhe Dritan Abazoviç.

Ishin dy kryeministrat e Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut, që firmosën urdhrin e ndalimit që avioni që do të sillte në Beograd  ministrin e Jashtëm të Rusisë, të kalonte në hapësirën ajrore të vendeve të tyre. Natyrisht, një urdhër të tillë ndalimi e kishin dhënë edhe Shqipëria e Kroacia, por peshën e kësaj ngjarje shumë të rëndësishme politike e kanë mbajtur dy politikanët e rinj të Podgoricës dhe të Shkupit. Për herë të parë në historinë ballkanike, një zyrtar i lartë i Moskës është ndaluar që të hyjë në një hapësirë, që sot politikisht është territor i NATO-s.

E dy anëtarë të rinj të aleancës, që konsideroheshin të brishtë, treguan se janë aleatë seriozë, të cilët u janë bashkuar plotësisht vendimeve të Perëndimit-pra SHBA dhe Bashkimit Europian.

Po çfarë ndodhi politikisht në Ballkan, pas këtij vendimi të fortë, për të cilin si shqiptari Dritan Abazoviç i lindur në Ulqin, ashtu edhe maqedonasi Dimitar Kovaçevski, nga Kumanova, një qytet që ka një komunitet të madh shqiptar, kanë marrë kërcënime të rënda, deri edhe me jetë nga ultranacionalistët dhe aleatët politikë të Moskës në politikën e vendeve të tyre?

Së pari, është krijimi i një vije të kuqe për Rusinë në Ballkanin Perëndimor, të cilin Moska nuk e ka pasur asnjëherë, madje prej vitesh ka luajtur lojën e vet me intensitet të lartë dhe me influence shumë të gjera. E ky zhvillim është realisht epokal.

Së dyti, Serbia, që është aleati më i madh i Rusisë në Ballkan, si politikisht, si ekonomikisht por edhe kulturalisht, nuk ka abandonuar asnjë proces, si pasojë e këtij qëndrimi që realisht e ka izoluar atë në pjesën që Beogradi e ndjente veten më arrogante. Edhe pse Serbia ka luajtur e luan me dy-tre porta, si me SHBA, Berlinin, apo edhe me Pekinin.

Por sot, në Ohër, kryeministrat që kanë firmosur ndalimin e Sergej Lavrovit kanë qenë protagonistët e vërtetë të Ballkanit të Hapur: Edi Rama, Dritan Abazoviç dhe Dimitar Kovaçevski.

E në këtë linjë, sot në Ohër, Ballkani i Hapur, ka pasur një prezencë prej 5 shtetesh nga gjashtë që ka ky rajon; mungonte vetëm Kosova. Përveç njerëzve më të rëndësishëm të 5 shteteve, në Ohër sot kanë dhënë mbështetjen e tyre si përfaqësues të qeverisë përkatëse: Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin dhe Oliver Varhelyi, Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin. Ndërkaq, Vuçiç është shoqëruar në Ohër nga ambasadori i SHBA në Serbi, dipomati i nivelit të lartë Chirs Hill.

I gjithë ky konfigurim e ka bërë Samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër, jo në një takim mes kryeministrave të shteteve që kanë diskutuar për procedura doganore e rregulla kufitare, por një Samit të pastër politik të një gjeopolitike të re, madje krejt të re të Ballkanit Perëndimor.

Një Ballkan, që jo vetëm dizenjohet, jo vetëm që vendos kundër Rusisë, por edhe ndalon fizikisht që njeriu më i rëndësishëm i Vladimir Putinit të udhëtojë në shtetin që Moska e ka krijuar në fund të shekullit të 19.

Madje vendimet për ta ndaluar, e kanë dhënë një qeveritar i Malit të Zi, shtet që Rusia loboi të krijohet në Kongresin e Berlinit në vitin 1878, dhe të Maqedonisë, një vend që Moska ka pasur influencë të frikshme deri para pak vitesh.

Sikur sot në Ohër të ishte edhe Albin Kurti, puzzle i Ballkanit antirust do të ishte edhe më i kompletuar, e nga ana tjetër do të kishim tre krerë shtetesh shqiptarë etnikisht dhe një tjetër që ka lindur në një qytet shqiptar si Kumanova.

Të tjerët ishin dy serb: Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë, dhe Zoran Tegeltija, kryeministër i Bosnjë-Hercegovinës, i cili vjen nga Republika Srbska.

Tegeltija vjen nga socialdemokratët e serbëve të Bosnjës, ka qenë dhe është aleat politik i Milorad Dodikut, por përveç se nuk është përfolur për korrupsion, ai është i vetmi politikan i lartë i serbëve të Bosnjës, i cili nuk është ndëshkuar nga qeveria e SHBA si nga Departamenti i Shtetit, ashtu edhe nga Departamenti i Thesarit.

Sikur edhe Albin Kurti të ishte sot në Ohër, do të kishim 3 krerë shtetesh etnikisht shqiptar, dy serbë dhe një maqedonas që vjen nga një qytet shqiptar si Kumanova. Ohri dhe Kumanova janë dy qytete tepër të rëndësishme që shënojnë aleancën e shqiptarëve me Perëndimit.

Në Ohër, në vitin 2001 është firmosur marrëveshja mes shqiptarëve dhe maqedonasve që të jenë të barabartë në një shtet që do të ndajnë qeverisjen. Kurse në Kumanovë, në vitin 1999, u firmos kapitullimi dhe largimi final i trupave ushtarake e policore serbe nga Kosova. Ndaj Ohri ishte një samit Politik- të ishte Albin Kurti, ai takim do ta fuqizonte edhe më shumë faktorin shqiptar…

Forum Ohër Rusi