Bota25 Janar 2023, 09:43

OKB: Shqetësime të mëdha për shkak të trafikimit të qenieve njerëzore

Shkruar nga Pamfleti
OKB: Shqetësime të mëdha për shkak të trafikimit

Pandemia korona, kriza klimatike dhe lufta në Ukrainë veprojnë si katalizatorë në trafikimin e qenieve njerëzore. Numri i proceseve ka rënë pak, por kjo shton shqetësimin!

Në të njëjtën kohë, deri në fillimin e pandemisë korona, vit pas viti zbuloheshin gjithnjë e më shumë njerëz, të cilët po shfrytëzoheshin larg atdheut të tyre.

Rreth 47,000 viktima u raportuan në UNODC për vitin 2020. Rreth 39 për qind duhej të bënin punë me detyrim ose ishin të shfrytëzuar seksualisht. Rreth 10 për qind u detyruan të kryenin madje edhe krime. Trafikimi i qenieve njerëzore prek kryesisht femrat dhe vajzat e reja, por vitet e fundit është shtuar edhe përqindja e meshkujve dhe e djemve.

Për herë të parë që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në vitin 2003, numri i viktimave të zbuluara në mbarë botën është zvogëluar në vitin 2020 me 11 për qind në krahasim me vitin 2019.

Pandemia korona po kufizon mundësitë për zbulimin e rasteve, veçanërisht në vendet më të varfëra në Azi, Amerikën Latine dhe Afrikë, thuhet më tej në raport. Pas mbylljes së bareve dhe klubeve për shkak të masave kundër virusit korona u zvogëluan edhe format e caktuara të trafikimit të qenieve njerëzore, veçanërisht shfrytëzimit seksual.

Pasojat e ndryshimit të klimës

“Ndryshimi i klimës ka rritur fenomenin e trafikimit të qenieve njerëzore,” thotë raporti i UNODC. “Ndërsa mungon një analizë sistematike globale e ndikimit të ndryshimit të klimës në trafikimin e qenieve njerëzore, studimet në pjesë të ndryshme të botës tregojnë se katastrofat e lidhura me motin janë shkaku kryesor i trafikimit të qenieve njerëzore,” thuhet në raport.

Raporti bazohet në të dhënat nga 141 vende të mbledhura midis 2017 dhe 2020 dhe analizën e 800 proceseve gjyqësore.

Vetëm në vitin 2021, janë zhvendosur për shkak të fatkeqësive që kanë lidhje me ndryshimin e klimës më shumë se 23.7 milionë njerëz.

Ndërsa rajone të tëra të botës rrezikojnë të bëhen “gjithnjë e më shumë të pabanueshme”, miliona njerëz do të jenë në “rrezik të shtuar të shfrytëzimit përgjatë rrugëve të migrimit”, sipas autorëve.

Lufta në Ukrainë dhe trafikimi

“Një prej sfidave më të mëdha është shfrytëzimi i qenieve njerëzore në zonat e përfshira nga lufta”, deklaroi për AFP Ilias Chatzis, kreu i UNODC. Në lidhje me Ukrainën, është po aq e rëndësishme që të ndihmohen vendet fqinje dhe të rritet mbështetja për autoritetet ukrainase, vazhdoi Chatzis.

Konfliktet zakonisht çojnë në një rritje të trafikimit të qenieve njerëzore. Në këtë drejtim as lufta në Ukrainë nuk është ndonjë përjashtim.

“Kriza e refugjatëve në Ukrainë rrit rrezikun për popullsinë e zhvendosur ukrainase”, thuhet në raport./DW

Bota OKB Qenie njerezore Trafikim