Fijet e zeza të Shkëlqimit të Kupës dhe Korabit që të çojnë drejt kokave të korrupsionit dhe plaçkitjes në Shqipëri. Pse duhet të montohet nga SPAK para se të përlajë paratë publike të radhës me tendera klientelistë?!
Jo rastësisht e konsideruam që në artikullin e parë si oktapod. Fijet klienteliste të Shkëlqim Kupës, një ish-gomist që u kthyer në ndërtues dhe ‘urith’ i tenderave në Shqipëri, shtrihen deri tek kokat kryesore të korrupsionit dhe oligarkisë në Shqipëri. Ndonëse sot ende në stadin e një sekseri dhe klienti i dorës së dytë, pra një nga satelitët e korrupsionit të Tiranës, Kupa ka arritur të depërtojë me shpejtësi, të mbajë lidhjet e vjetra dhe të krijojë fije të re, duke marrë miliona euro para publike. Shkëlqim Kupa ishte fillimisht klient i konsoliduar i Xhelal Mziut në krye të Bashkisë së Kamzës, me anë të kompanive të tij Kupa dhe Korabi. Më pas, përmes Sadri Abazit, arriti të merrte tendera edhe nga Vagjush Dako dhe Erion Velaj, ndërsa dera e tij e vjetër nga ku merr para publike mbetet kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, ku ofertat fituese të Kupës çuditërisht janë sa fondi limit.
Të dhënat e reja që kanë mbërritur në redaksinë tonë konfirmojnë se Shkëlqim Kupa është një ‘xhep i fshehtë’ edhe i dy prej grabitqarëve më të mëdhenj të pasurive publike dhe parave të shqiptarëve, në historinë e pluralizmit shqiptar. Bëhet fjalë për Bashkim Ulajn dhe Sandër Frangajn, të cilët pasi u ka dalë boja në plaçkitje dhe përvetësim të parave publike, kanë zgjedhur një metodë të re vjedhje. Ulaj dhe Frangaj kontrollojnë një tufë me kompani satelite, të cilat marrin tendera me ndërhyrjen e tyre tek Rama, Veliaj, kryebashkiakët dhe drejtorët e tjerë. Kompanitë janë të rregullta në letra, por ato do të falimentonin brenda disa muajsh, nëse nuk do t’u jepnin punë Sandri dhe Ulaj. Kush ka dyshime të kujtojë presionin që i bëri Frangaj para disa vitesh ndaj Veliajt, me anë të kronikave në llogoren e tij mediatike.
Veliaj u përkul para presionit dhe ndau pazaret. Që atëherë Sandri i bën fresk Veliajt. Në këmbim, Veliaj i ka hapur rrugën kompanive satelite të Sandrit për të ndërtuar në zonat më të lakmueshme të Tiranës. Vetë Sandri, për t’i shpëtuar veprimit të drejtësisë, përdor kunati për menaxhimin e grupit të madh të kompanive. Pamfleti ka një dosje të plotë të të gjitha kompanive dhe njerëzve që verojnë nën hijen e Sandrit. Lista është e gjatë dhe do të dorëzohet në SPAK. Në të njëjtën formë vepron edhe Bashkim Ulaj, duke përdorur kompani të tjera dhe ndërsa më pas fitimet, siç ishte edhe rasti me kompaninë DH Albania, me të cilën mori 28 milionë euro.
Kompanitë satelite nuk kanë nevojë të shkojnë të “votojnë’ tek zyrtari që jep tenderat, por shkojnë dhe çojnë përqindjen direkt tek njerëzit e Sandrit dhe Ulajt, të cilët janë kthyer edhe në lavatriçe të pastrimit të parave. Një nga satelitët e shumtë të Sandrit dhe Ulajt është edhe Shkëlqim Kupa, për të cilin ne i bëjë thirrje SPAK, të mbajë nën monitorim, se si i merr tenderat, kë kontakton, ku e çon përqindjen dhe kush janë kodet e vjedhjes. Pa këto lidhje dhe pa ndarë fitimet, Kupa nuk do të merrte jo tendera, por as pluhurat në dritaret e institucioneve publike.
Në këtë kuadër, Kupa vetë nuk është koka e korrupsionit, por një oktapodët e tenderave, fijet të cilit të çojnë drejt kokave të korrupsionit dhe plaçkitjes në Shqipëri. Në vijim fakte dhe detaje befasuese të lidhjeve të Kupës me Ulajn, Frangajn dhe ‘ujqër’ të tjerë korrupsioni në Shqipëri. Kaq për sot! / Pamfleti