Ish-deputeti socialist Spartak Braho ka komentuar ditën e sotme mega-operacionin e ndërmarrë nga SPAK, që solli arrestimin e 18 personave dhe shpalljen në kërkim të disa të tjerëve.
Braho, nuk u kursye aspak, pasi hodhi akuza të forta duke thënë se zyrtarë të lartë janë të përfshirë dhe bashkëpunojnë me 8 bandat e goditura nga SPAK, madje shtoi se ka edhe shumë drejtues të lartë që janë të zhytur thellë në korrupsion.
Ai nuk kurseu kritikat edhe për kryeministri Edi Rama, ku sipas Brahos qasja e Ramës kur thotë se “përgjegjësia e kujt do që ‘përlyhet’ në botën e krimit është përgjegjësi personale” është një justifikim banal, sepse ekziston dhe përgjegjësi morale për ata që i emërojnë.
“Ka zyrtarë të lartë të përfshirë. Ka drejtues që ja në të zhytur në korrupsion. Pushteti i ka këto relacione, aq më tepër që nuk ka pasur ndonjë luftë serioze nga e majta, pavarësisht thirrjeve të Ramës që do dënojmë atë apo këtë.
Përderisa Rama thotë kush do që hyn në botën e krimit ka përgjegjësi personale, nuk është kështu. Përgjegjësia është personale por ka dhe morale për ata që i vendosin aty. Është personale kur është e largët. Këta nuk u emëruan vetë, dikush i lançoi.
Veprimtaria e tyre kriminale është e shoqëruar me përgjegjësi morale të eprorëve. Kryeministri nuk duhet ta kalojë me një justifikim banal Kryeministri që i emëron nuk duhet të thotë që përgjegjësia është personale”, tha Braho.