Anti-Mafia14 Prill 2022, 18:33

Opozita, gati padinë në Kushtetuese ndaj Olta Xhaçkës

Shkruar nga Pamfleti
Opozita, gati padinë në Kushtetuese ndaj Olta Xhaçkës

Opozita po bën gati letrat e përfitimit të statusit të investitorit strategjik, për të bërë gati edhe padinë përkatëse. Padia pritet të mbështetet në dy precedentët e Ilir Beqajt dhe Koço Kokëdhimës, të cilëve Gjykata Kushtetuese ua hoqi mandatet, pasi arriti në përfundimin se kishin përfituar kontrata shtetërore.

Opozita pritet të përgatisë dy nisma të rëndësishme që mund të shkaktojnë tërmet në politikën shqiptare. Burime pranë PD-së, bëjnë të ditur se kreu i komanduar Enkelejd Alibeaj do të kërkojë në Gjykatën Kushtetuese, që të vendosë nëse ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka konflikt interesi në lidhje me investimin e bashkëshortit të saj në bregdetin e Dhërmiut. Nisma tjetër është amendimi i ligjit të dekriminalizimit për personat e shpallur “Non Grata” dhe nën sanksione nga qeveria e SHBA.

Siç mësohet, opozita po bën gati letrat e përfitimit të statusit të investitorit strategjik, për të bërë gati edhe padinë përkatëse. Padia pritet të mbështetet në dy precedentët e Ilir Beqajt dhe Koço Kokëdhimës, të cilëve Gjykata Kushtetuese ua hoqi mandatet, pasi arriti në përfundimin se kishin përfituar kontrata shtetërore.

Kushtetuta dhe statusi i deputetit, ndalon anëtarin e Parlamentit dhe atë të qeverisë që të përfitojë kontrata qeveritare kur janë në detyrë. Vetë ministrja e Jashtme nuk e ka mohuar se bashkëshorti dhe kunata e saj kanë përfituar statusin e investitorit strategjik në plazhin e Dhërmiut. Prej disa ditësh Xhaçka është sulmuar nga deputetët e opozitës në Parlament, por ajo thjesht është kundërpërgjigjur me sulme të ashpra ndaj opozitës.

Duke replikuar me deputetin e PD-së, Agron Shehaj, Xhaçka tha: “Për hir të së vërtetës ju mëshiroj. Juve ju ka humbur teksti në politikë ndaj kapeni pas kauzave pa kauz e flisni palaçollëqe këtu. Është fatkeqësi e madhe që opozita përfaqësohet nga njerëz si ti. Njerëz si ti që nuk kanë nivel dhe nuk përfaqësojnë. Të vish të flasësh paçavure, për përfaqësuesit e mazhorancës, makar për ministren e Jashtme, për familjarët e mi të cilët kanë që në ’91-shin që merren me biznes e nuk u pasuruan prej meje. Nuk ka lidhje statusi i investitorit strategjik për dikë që është në pronë të vet dhe që nuk ka përfituar asnjë cm nga shteti. Ju flisni me slogane gazetash opozitare pa kuptuar, pa studiuar, pa njohur ligjet e këtij vendi, me një intelekt që shkon në raport të zhdrejtë me delirin tuaj”.

Neni 70 i Kushtetutës së Republikës, përkatësisht paragrafi 3 i tij thekson: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë”.

Një muaj e gjysmë më parë, qeveria vendosi dhënien në përdorim të një zone bregdetare në Himarë për resortin “Dreamades Luxury Suites” për një periudhë 30-vjeçare. Sipas këtij vendimi, kompanisë “AGTTC Hotel Management” i jepet leje e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të Bashkisë Himarë. Në vendimin e qeverisë, “AGTTC Hotel Management” sh.p.k, cilësohet si investitor strategjik.

Në Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKB, kjo kompani figuron në pronësi të shtetases amerikane, Tawni Lin Grzych-Sutton. “Bashkia Himarë ka detyrimin që brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së investitorit strategjik “AGTTC Hotel Management” sh.p.k, me NUIS M11825022K, të lidhë kontratën përkatëse për lejimin e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit, në përputhje me sipërfaqet e destinacionin e kërkuar nga subjekti, të lejuara me vendimin nr.3/5, datë 29.3.2021, të Komitetit të Investimeve Strategjike, të ndryshuar, dhe të konfirmuara më tej nga Bashkia Himarë”, shkruhet në vendim.

Sipas Birn, kjo kompani është themeluar tre muaj pas vendimit për shpalljen e investitorit strategjik, që ndryshe nga sa sugjeron vendimi i Këshillit të Ministrave, është kompania me emër të ngjashëm, AG.TTC Sh.p.k – në pronësi 100% të ish-deputetit socialist dhe bashkëshortit të ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka. “Unë jam investitor strategjik dhe po ndërtoj një hotel, nuk po ndërtoj vila siç bëjnë të tjerët”, tha Gaçi një muaj më parë për BIRN dhe shtoi se sipas ligjit, “më takon zona e plazhit përballë hotelit për të vënë shezlongët”.

Shpallja si investitor strategjik nga Këshilli i Ministrave i bashkëshortit të ministres së Punëve të Jashtme ngre shqetësime për konflikt interesi. Gaçi i tha BIRN se për këtë arsye ai kishte futur në mes kompaninë “AGTTC Hotel Management”. “Por, pikërisht për të shmangur këtë konflikt interesi, unë gjeta një kompani tjetër me përvojë në këtë fushë, e cila do të marrë në menaxhim hotelin dhe plazhin dhe unë jam thjesht investitori”, shpjegoi Gaçi. “Kam folur me shumë juristë për këtë”, shtoi ai, ndërsa pranoi se kompaninë e Tawni Lin Grzych-Sutton e “ka përzgjedhur ai”.

Sipas Gaçit, mes kompanisë së tij dhe “AGTTC Hotel Management” është bërë një kontratë, ku njëra do të bëjë investimin dhe tjetra menaxhimin. Gaçi këmbënguli se nuk kishte pse të penalizohej për të bërë biznes pse është bashkëshorti i ministres Olta Xhaçka, ndërsa theksoi se nuk e shihte si problem që kompanitë kishin të njëjtën juriste. “Nuk ka lidhje, juristja ime Iris Erebare e ka asistuar kompaninë amerikane që të bëjë regjistrimin në QKB”, tha ai. “Nuk ka asnjë abuzim këtu, thjesht po vuaj pasojat që jam burri i ministres”. /Pamfleti/

Anti-Mafia #Gaci Dhermi kushtetuese xhacka