Kosova27 Tetor 2022, 11:14

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendimi për t’i kthyer targat ilegale serbe në ato në RKS, nuk është bërë kundër qytetarëve serbë.

Në konferencën për media pas takimit me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ajo tha se me këtë vendim po luftohen bandat në veri, pë çka ka kërkuar përkrahjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo përmendi djegien e një veture gjatë mbrëmjes të së mërkurës në Leposaviq, vetëm se kishte rikthyer targat në RKS.

“Ta shohim kontekstin e targave nga një segment tjetër, e ajo është që ka një kohë të gjatë që qytetarët serbë të cilët po e respektojnë ligjin, po zbatojnë ligjin, po i konvertojnë targat në ato që njihen me ligj, targa të Kosovës dhe po i largojnë ato të kohës së Millosheviqit. Si rezultat i kësaj po u digjen shtëpitë, po u digjen veturat. Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë, gjithë këto veprime të strukturave ilegale dhe kriminale, të cilat janë në listën e zezë të SHBA-ve dëshmojnë që kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, ka thënë ajo.

Ndonëse Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka njoftuar se numri i targave të konvertuara është nën 20, Osmani ka konsideruar se është një pakicë që ende nuk i ka ndryshuar ato.

“Ajo pakicë që akoma nuk i ka konvertuar është për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme përfshirë me djegie të veturave e shtëpive, që po ua bëjnë strukturat ilegale kriminale. Lufta jonë është luftë kundër bandave, në luftën kundër bandave ne presim që të kemi përkrahjen e aleatëve tanë edhe në BE edhe në SHBA”, ka thënë ajo.

Prishtine bandat kriminale Targat ilegale Ursula von der Leyen veriu i Kosovës Vjosa Osmani

Kosova