Politike23 Shkurt 2022, 20:37

“Pa miratimin e tij nuk bëhet asgjë“, PD publikon videon: Rama ka emëruar Tom Doshin drejtues politik e shef të fushatë

Shkruar nga Pamfleti
“Pa miratimin e tij nuk bëhet asgjë“, PD publikon videon:

Partia Demokratike akuzon Edi Ramën se ka emëruar Tom Doshin, një person non-grata nga SHBA, si drejtues de-facto politik në Shkodër dhe drejtues të fushatës së kandidatës së PS-së në këtë bashki, Majlinda Angoni.

Krahas Tom Doshit në Shkodër, PD thotë se Rama ka aktivizuar edhe Vangjush Dakon në fushatën e Durrësit – të shpallur po ashtu non-grata -, dhe se kandidatja Emiriana Sako “është vegla e Dakos”.

“Edi Rama bëri sikur e largoi Tom Doshin pas shpalljes Non Grata, po çdo shqiptar e di, e më shumë se kushdo tjetër socialistët shkodranë, e dinë se pa miratimin e Tom Doshit nuk bëhet asgjë”, shkruan PD në faqen zyrtare në Facebook.

Sipas PD-së, Rama nuk do të qëndronte në pushtet po të mos ishte për ndihmën e personave “non-grata, kriminelëve dhe të korruptuarve”.

Por Rama nuk është i vetmi që synon të përdorë në fushatë ndikimin e dy ish-socialistëve për të grumbulluar vota.

Ka qenë pikërisht kreu i grupit ‘na bashkoi “non grata’”, Sali Berisha, i cili gjatë takimeve elektorale ditët e fundit është përpjekur të rrëmbejë vëmendjen e Dakos dhe Doshit.

“Berisha, në garën e 6 marsit, nuk ka asnjë mundësi për të fituar, më së shumti ai mund të ketë forcë për t’i prishur punë PD-së së Lulzim Bashës dhe kandidatëve të tij, duke bërë që të fitojnë kështu njerëzit e PS dhe Edi Ramës. Që në fakt nuk janë tamam të tijtë, pasi Sako në Durrës është ‘zari’ i Gjushit, e Angoni në Shkodër është ‘levë’ e Tom Doshit”, shkroi Pamfleti dy ditë më parë.

Duket se edhe Yuri Kim “është në një vijë” me Partinë Demokratike.

Yuri Kim deklaroi pak ditë më parë se nuk duhet të mbështeten kandidatët e ‘non grata’-ve, por duket se kjo nuk ka qenë e lidhur me Sali Berishën.

“Yuri Kim e kishte krejt qartë me Vangjush Dakon e Tom Doshin, e thirrja ishte e qartë që të mos votohen kandidatët e tyre: Emirjona Sako në Durrës dhe Majlinda Angoni në Shkodër”, shkruan Pamfleti.

Politike #YuriKim Berisha Dako Durrës Non-Grata PD Shkodër tomdoshi Video