Aktualitet 3 Tetor 2022, 18:15

Pa vulën e PD-së nuk futet dot në zgjedhje, Berisha i bindet Metës: E mbështes idenë për kandidatë të përbashkët

Shkruar nga Pamfleti

Ish-kryeministri Sali Berisha ka pranuar propozimin e Ilir Metës për të shkuar në zgjedhje me kandidatë të përbashkët. Gjithë këto ditë, Berisha ishte i lëkundur në qëndrimet e tij, por sot ai tha se mbështet një ide të tillë. Duke folur para Parlamentit, Berisha tha se do të ketë primare, por dhe do të diskutohet me të gjithë aleatët për kandidaturat e zgjedhjeve vendore.

Ne po diskutojmë me aleatët format e daljes në zgjedhje. Ka mendime për të dalë me kandidatë të përbashkët dhe unë e mbështes këtë ide.  Por ne jemi të gatshëm me aleatët të të gjejmë format më të përshtatshme të një gare të suksesshme”, tha Berisha.

Por pse kjo kthesë e Berishës?

Sinjalet janë se gjithçka lidhet me vulën e PD. Gjykata ende nuk e ka njohur statutin e foltores dhe çështja ka shkuar në Apel. Duke qenë se në Apeli ka shumë dosje ndër vite, mund të ndodhë që të mos kemi një vendim deri në zgjedhjet vendore. Ose mund të ndodhë të kemi një vendim dhe ai të jetë kundër Berishës. Në të dyja rastet ai do mbetej jashtë zgjedhjeve vendore. Kur KQZ të kërkojë listën e kandidatëve, të drejtën e firmës e ka vetëm Gazment Bardhi. Duke qenë se Berisha dhe grupi i Alibeajt janë larg bashkëpunimit, skenari më i mundshëm është që Berisha të fshihet nën logon e Partisë së Lirisë.

Pra Berisha duket se po jep sinjale se do të shkojë drejt skenarit të 6 marsit, ku u regjistrua si koalicion nën logon e LSI. Fakti që sot i dha dritën jeshile Metës për kandidatë të përbashkët, tregon qartë skenarin që do të ndjekë deputeti “non grata” nëse nuk ka një vendim pro tij nga gjykata. /Pamfleti

Kryesore Berisha koalicion Meta