Kryeministri Edi Rama, në përfundim të mbledhjes së përjavshme me krerët e drejtuesve politikë të PS-së në 12 qarqet e vendit, u ndal për një prononcim për mediat në dalje të selisë rozë.
I pyetur mbi kallzimin në SPAK që është bërë nga ana e PD-së për aferën e inceneratorëve, Rama e lidh me periudhën parazgjedhore të dëshpërimit në Partinë Demokratike.
Rama u shpreh se kjo është një periudhë kur simptomat e dëshpërimit të kreut të opozitës do të shkojnë duke u bërë gjithmonë e më të dukshme.
“Është një periudhë kur simptomat e dëshpërimit, inekzistencës së lidershipit të opozitës do të shkojnë duke u bërë gjithnjë e më të dukshme gjithnjë e më të turpshme. Është fakt që përballë këtij degradimi ne të shohim përpara dhe të vazhdojmë punën tonë në dy drejtime.
Në drejtimin e njerëzve të cilët do ta kenë gjithmonë qeverinë në krah. Po ju jap një lajm se në pltaformën e aplikimeve që duan të na bashkohen në skuadrën tonë të 2021, në kaq pak ditë kemi më shumë se 50 shprehje interesi”.