Politike 8 Shtator 2022, 12:49

Paketa antikrizë nga qeveria, Edmond Spaho:54 mijë familje do e paguajnë energjinë sa frëngu pulën

Shkruar nga Pamfleti
Paketa antikrizë nga qeveria, Edmond Spaho:54 mijë familje do e

Deputeti demokrat Edmond Spaho e ka cilësuar paketën antikrizë të prezantuar nga qeveria ditën e sotme, si vazhdimin e linjës së demagogjisë së kryeministrit Edi Rama.

Spaho shtoi se në Shqipëri është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh punë dhe rrogat janë ndër më të ulëtat në Europë.

Deputeti demokrat tha se për paketën Rama nuk ka shpjeguar asgjë konkrete, ka thënë vetëm fjalë të përgjithshme dhe se paketa është më e ulëta e të gjitha vendeve, e konfirmuar nga FMN dhe Banka Botërore.

“Elementi më i rëndësishëm i atyre që shprehu qeveria sot, ka të bëjë me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Do të preket një pjesë e konsiderueshme e popullsisë shqiptare.

Thonë për ata që kanë ndërtuar sauna, vila dhe shpërdorojnë energjinë për ndriçimin e oborreve. Por në fakt do të preken rreth 220 mijë individë. Nëse do ta llogarisësh, i bie rreth 54 mijë familje të preken, çka do të thotë se 54 mijë familje shqiptare nuk kanë sauna dhe do e paguajnë energjinë elektrike si frëngu pulën.

Pse tua kalojmë qytetarëve këtë barrë, kur sot çmimi është më i larti në rajon. Ne paguajmë 12 lekë për kilovat, në kushtet kur jemi prodhues të mirë të energjisë elektrike. Si mesatare e pesë viteve të fundit ne plotësojmë 83% të nevojave.

Humbjet teknike dhe vjedhjet në rrjet, janë mbi nevojat që ne kemi për të importuar. Kryeministri duhet të përqendrohet tek vjedhjet, humbjet, mosfaturimi. Shesin lirë dhe blejnë shtrenjtë dhe gjithë kjo i lihet mbi shpinë qytetarit shqiptar. 20% e energjisë elektrike në rrjet nuk dihet ku shkon.”, tha deputeti.

Politike paketa antikrize spaho