Komisioni i Ekonomisë është mbledhur ditën e sotme. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj ka paraqitur paketën fiskale për vitin 2022 që sipas saj synon të rrisë të ardhurat shtesë në buxhetin e shtetit në masën 5,2 miliardë lekë. Ibrahimaj tha se do të ketë një reduktim të TVSH-së për imputet bujqësore.
“Projeksioni për vitin 2022 parashikon rritjen e të ardhurave tatimore në 26,8 për qind të PBB-së. Paketa fiskale parashikon ndryshime ligjore në ligjin për Tatimin për Vlerën e shtuar, në ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Qeveria që në fillimin e saj mbështeti parimin kush fiton më shumë paguan më shumë. Nëpërmjet ndryshimit të propozuar rritet paga dysheme e patatueshme, nga 30 mijë lekë në 40 mijë lekë. Përfitojnë 71 mijë e 500 qytetarë në masën 550 mln lekësh në vetë, 7800 lekë në vit për qytetar. Reduktimin e normës tatimore me 50 për qind, nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë në muaj. Tatimi 23 për qind parashikohet të aplikohet për pagat mbi 200 mijë lekë në muaj nga 150 që është tani. Lehtësojmë shtresën e ulët dhe të mesme”, tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj ka theksuar se paketa parashikon reduktim të TVSH-së për imputet bujqësore, duke shtuar se do të ketë një garanci 1 miliard lekë për fermerët. Ndërsa për importin e qumështit pluhur do të vendoset taksë 100 lekë për kg, me synim mbështetjen e fermerëve vendas.
“Parashikohet heqja e akcizës për lëndët djegëse për industrinë. Nga kjo skemë ka përfituar vetëm industria. Janë 11 subjekte përfituese nga kjo skemë. Efekti i parashikuar në buxhetin e shtetit është 800 milion lekë. Ndryshime për ligjin për taksat kombëtare. Taksa 1 qind lekë për kg për importin e qumështit pluhurm synon mbështetjen e fermerëve vendas. Me vendosjen e takës parashikohen një efekt pozitiv për të ardhurat e shtetit me 100 milion lekë në vit”, cilësoi ajo.