
Pas SHBA-së edhe Gjermania ka shtuar presionin për krijimin e asociacionit të komunave serbe në veri të Kosovës.
Ambasadorja gjermane në Serbi, Anke Konrad, deklaroi se Gjermania i merr seriozisht shqetësimet e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe se kërkon fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për Asociacionin.
“Presim që themelimi i Asociacionit, për të cilin është rënë dakord në vitin 2013 dhe 2015, do të vihet në agjendën e dialogut të zhvilluar me ndërmjetësimin e BE-së”, ka thënë Konrad për gazetën serbe Blic, duke shtuar se marrëveshja për formatin e Asociacionit është njëri nga qëllimet e atij dialogu.
Më tej ambasadorja ka thënë që përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, ka besimin dhe mbështetjen e Gjermanisë.
Sipas saj, angazhimi i tij gjatë javëve të fundit, së bashku me partnerët evropianë dhe transatlantikë, ka kontribuar ndjeshëm në qetësimin e situatës.
“Tani i takon Serbisë dhe Kosovës që të fillojnë një dialog që do të çojë në një normalizim të përhershëm të marrëdhënieve mes dy vendeve”, shtoi ajo.