Kulture16 Nëntor 2022, 14:58

Panairi i Librit çel edicionin e 25-të, problem kryesor rënia e shitjeve

Shkruar nga Pamfleti
Panairi i Librit çel edicionin e 25-të, problem kryesor rënia e

Panairi i Librit ka çelur sot edicionin e 25-të. Nën moton “Jemi të gjithë” bashkë, me dhjetëra shkrimtarë janë bërë pjesë e evenimentit në Pallatin e Kongreseve. Mësohet se marrin pjesë mbi 100 shtëpi botuese, ku pjesë janë bërë dhe shtëpitë botuese nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga diaspora.

Në fjalën e saj në ceremoninë e hapjes, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, tha se çdo vit kanë një buxhet të dedikuar për të pasuruar bibliotekat e shkollave.

Ne të gjithë bashkë duhet të mobilizohemi jo vetëm me një panair në vit, por me shumë aktivitete të tjera, në mënyrë që t’i tërheqim të rinjtë, të rejat, fëmijët drejt librit dhe leximit“, tha Kushi.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në fjalën e tij u bëri thirrje qytetarëve që ta vizitojnë panairin e librit.

Ndërkohë, kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri ka folur për mediat, duke treguar problemet e librit.

Risia më e madhe janë titujt e rinj, autorët e rinj dhe tani kemi sfidë për të konfirmuar këtë sondazhin që është bërë më përpara. Do konfirmohet apo do rrëzohet. Këtë do konfirmoj Panairi. Nëse lexuesit do i përgjigjen thirrjes sonë, sa do përgjigjen apo do mbetemi te 20 %. Ne shpresojmë ta kapërcejmë këtë sondazh. Çmimi i letrës është rritur 80%. Kudo ka një rritje të kostove të prodhimit të librit, duke njohur vështirësitë e tregut, kemi bërë rritje sa më të vogla, minimale. Të ruajmë një marrëdhënie besimi me lexuesin. Shpresoj që vërtetë të jetë festë, nëse lexuesit do e kthejnë në festë, përndryshe do jetë një punë e zakonshme. Kemi shumë aktivitete përmes stendave që kemi hapur, 95 ekspozues. Kemi një shumëllojshmëri botimesh dhe titujsh që i ofrojmë lexuesit“, tha ai.

Ndërsa shkrimtarja Rita Petro, ka komentuar rënien e shitjeve. “Rëniet e shitjes së librave, rritja e çmimeve ka ndikuar te shifra që është përmendur kohët e fundit se shqiptarët lexojnë 20%. Por mbase kjo ka lidhje më shumë me shitjen e librit se librat mund të kalojnë dhe dorë më dorë, mund të lexohen dhe në mënyrë elektronike“, tha shkrimtarja Rita Petro.

Panairi do të zgjasë deri më 20 nëntor, ku pritet që në fund të shpallen dhe çmimet fituese.

Kulture panairi i librit