
Panairi i Librit ka hyrë sot në ditën e dytë të tij. Një ndër emrat që i është bashkuar sivjet është edhe Ben Blushi, i cili ka sjellë librin “41 Sekrete”. Blushi ka folur sot për mediat duke treguar “sekretet” e librit të tij.
“Libri ka histori të 100 viteve më parë dhe ka edhe aktualitet. Në një farë mënyre janë 41 kapituj. Janë njerëz të ndryshëm. Nuk besoj se do më pyesësh si i përzgjodha. Ka që më duan e që s’më duan. Rëndësi ka që flasin për mua”, tha Blushi.
Pjesë e Libri janë dhe emra si Robert Ndrenika apo Ismail Kadare.
“Aktori Robert Ndrenika, nuk është vetëm mik i babai tim (Kiço Blushi), ai është aktor i njohur. Atë ditë më kishte thirrur për të më treguar një histori me tim atë. Atë ditë kisha një kasketë dhe ia dhashë për t’i bërë një foto”, tregon ai.
Për Kadarenë Blushi thotë se e ka sjellë si një njeri normal, me biseda të thjeshta sepse jemi mësuar të dëgjojmë vetëm anën intelektuale.
Çështja e islamit te shqiptarët rivjen në librin e Blushit. “Është një çështje që sa herë e prek vjen me kosto publike- është çështje e komplikuar me pasoja publike. Unë sjell një bisedë me dy myslimanë në Kavajë, janë dy miq krejt të ndryshëm që më nxisin të bëhem mysliman. Është një bisedë sa filozofike aq edhe komike. Raporti im me fenë s’është i qartë, dua të kuptoj, bisedoj me ta, por jam ateist”, thotë Blushi.
Blushi tregon aty dhe një histori me ish-diktorin Enver Hoxha, ku mori numrin e tij të telefonit dhe alarmoi gjithë Sigurimin.
“Historia me Andi Bushatin është një lojë fëmijësh që bëhet një komplot meqë ai merr numrat e Byrosë Politike. Një komplot fëmijësh me sekret të lartë shtetëror”, tregon Blushi.