Aktualitet11 Shtator 2018, 21:59

Panuçi s’është për këtë punë – Këto janë 5 arsyet pse duhet shkarkuar menjëherë

Shkruar nga Pamfleti
Panuçi s’është për këtë punë –

Panuçi s’është për këtë punë – Këto janë 5 arsyet pse duhet shkarkuar menjëherë

Loja e bërë nga skuadra jonë kombëtare kundër Skocisë, ishte nga më të dobëtat që ka zhvilluar përfaqësuesja shqiptare ndonjëherë në historinë e saj. Duhet të kthehesh pas në kohë, që të gjesh ndonjë paraqitje kaq të dobët.

Kush është fajtori? Duket se të gjitha rrugët të çojnë tek një njeri: Kristian Panuçi. Të bërtiturat e tij pas ndeshjes me Skocinë dhe fjalori aspak i denjë për një trajner përfaqësueseje, konfirmuar nga vetë lojtarët e Kombëtares, që panë jo vetëm skuadrën të shkërmoqet, por edhe trajnerin e paqartë dhe larg asaj që duhet të bëjë një “bari” i mire, tregojnë qartë se Panucci s’është për këtë ekip.

Disfata e Gllasgout duhet lidhur me Panuçin për disa arsye:

Së pari, tekniku ndryshoi skemë në orën e fundit, duke bërë që lojtarët të ishin të paqartë në fushën e lojës. Mesfusha, reparti që bën diferencën në një ndeshje ra në duart e kundërshtarit, pasi vetë Panuçi i kishte degdisur lojtarët në pozicione aspak natyrale. Memushaj e Xhaka që luajnë në qendër dolën në krahë, ndërsa rreshtimi me pesë mbrojtës jo vetëm ishte kundër filozofisë së tij të lojës, por as e kreu misionin e saj, pasi në cdo aksion të kundërshtarit gjendej në panik të thellë.

Në ndryshimin e skemës lojtarët dolën nga vetja, pasi iu duhej të bënin gjëra që nuk i dinin apo që nuk ishin natyrale për ta. Për rrjedhojë lëvizjet e Panucit ishin një disfatë ende pa nisur loja. Këtë e pranuan dhe vetë futbollistët pas ndeshjes që thanë që skema taktike ishte e pakuptueshme edhe për vetë trajnerin. Këto ndryshime bënë që në fushë të ishte një Shqipëri e corientuar krejtësisht, pa ide, pa nerv, pa koncept loje e pa motivim.

Migjen Basha që ishte lideri i vërtetë në ndeshjen kundër Izraelit, u la në stol, dhe deri më tani nuk është zbardhur arsyeja pse “dirigjenti” kosovar i Kombëtares nuk u aktivizua në një ndeshje ku ai mund të ishte thelbësor për fatet e kuqezinjve.

Në një ndeshje ku duhej të ishin në fushë ekspertët, Panuçi zgjodhi të luajë me disa të rinj si Binaku, Prenga, Gavazaj dhe Ndoji, ku asnjëri nuk bëri diferencë, ndërkohë që aktivizimi i Balajt në vijë të parë dhe i vetmuar nuk e dha as efektin më të vogël. Për pasojë, e gjitha taktika e Panuçit dështoi, fund e krye, pikë. Më keq a mund të vente? Kurrë! Asnjëherë s’kemi luajtur aq keq, asnjëherë!

Së dyti, trajneri Kristian Panuci nuk ka treguar deri më sot se është teknik revolucionar në lojë, ai di vetëm të bëjë eksperimente dhe i bën ato edhe atëherë kur nuk duhet. Eksperimentet në ndeshjen me Skocinë ishin fatale. Ka kaq shumë ndeshje që vetëm eksperimenton, dhe prej një viti që duhet të kishte krijuar grupin e tij, nuk e ka bërë, duke pasur si përfundim një skuadër krejtësisht jashtë fushës së betejës.

Së treti, Panuçin nuk e do grupi, sepse ai është arrogant. Këtë e dinë të gjithë në brendësinë e skuadrës. Ai nuk komunikon me më shumë se gjysmën e lojtarëve dhe sidomos bërthama e grupit është jashtë vëmendjes së tij, që do të thotë se eksperimentet e shumta dhe fodullëku i tij kanë sjellë efekte të dëmshme.

Së katërti, në një lojë futbolli ka vlerë kontrolli i emocionit dhe kontrolli psikologjik i grupit. Të menaxhosh nga ana psikologjike skuadrën është aftësia më e madhe. Ky trajner nuk e ka bërë. Pra, përpos dyshimeve për aftësinë e tij të vendosë skuadrën në fushë, Panuçi ka gjasa të mos bëjë dot rolin e trajnerit në përgjithësi.

Së pesti, Panuçi nuk gëzon kurrfarë respekti në radhët e tifozëve. Ata janë të ndarë, ta duan apo ta heqin. Deri më tani trajneri nuk i ka bindur se ai mund të jetë i duhuri. Merr të rinj me shumicë dhe i fut në fushë, por nuk krijon një shtyllë kurrizore të skuadrës, e ka të pamundur.

Pas kësaj analize mund të kuptohet që Kristian Panuçi duhet të largohet. Kombëtarja nën drejtimin e tij nuk do të fitojë gjë, nuk do të kualifikohet dhe nuk funksionon e nuk jep shpresë për vazhdimësinë. /Pamfleti Sport

 

Kryesore