Disa ditë më parë Ambasada Gjermane i dorëzoi njësisë speciale RENEA 200 palë këpucë shërbimi. Në njoftim thuhej që këto këpucë zëvendësojnë pajisjet personale të konsumuara të oficerëve, një fjali kjo që duhet të na bëjë të skuqemi nga turpi, e sidomos Sandër Lleshajn. Por i pafytyri nuk skuqet, përkundrazi Policia e Shtetit sipas tij është një qenie e trashë. Një gjë të tillë e demonstroi publikisht nga salla e Kuvendit, ku i tha deputetit Murrizi “Polic ke qenë e polic ke mbetur!”, a thua se të jesh polic është fatkeqësi.
Në një vend normal, Ministri duhet të kishte dhënë dorëheqjen për deklarata kaq skandaloze, ndërsa në Shqipëri Sandër Lleshaj trajtohet si uji i pakët, ku shteti i vë në dispozicion makinën luksoze. Kjo përbuzje tregon edhe motivin se pse Ministri i Brendshëm nuk investon ndaj vartësve të tij, ndoshta në mëndje i gëlon ideja që po sakrifikohet duke qenë në krye të policëve dhe për këtë duhet t’i jemi falënderues.
Por le të kalojmë tek këpucët. Ambasada Gjermane dhuroi vetëm 200 palë, që i bie që pjesa tjetër e policisë elitare të rrijë me këpucë të grisura. Kjo për shkak se Sandër Lleshaj e ka mendjen të blejë makina luksoze për veten e të bëjë tendera me vlerë 1.6 milion euro për strukturën “Ilirian Guard”, para që u shfrytëzuan për marrjen me qira të pajisjeve dhe sistemeve të alarmit për 4 vite. Nga ana tjetër, oficerët e RENEA-s do të “zihen” me njëri-tjetrin për këpucët. Normalisht që do fitojë më i forti, ose ai që ka mik. Në rastin më të keq, këpucët e reja në “fshatin e varfër” të RENEA-s, do i marrin shefat.