
Gjenerali i lartë amerikan Mark Milley është shprehur se është ende e paqartë se si mund të reagonte Rusia ndaj pengesave të fundit në fushën e betejës në Ukrainë. Milley bëri thirrje për vigjilencë midis trupave amerikane.
Sipas prestigjiozes “Reuters”, ai ka vizituar sot një bazë në Poloni që ndihmon në përpjekjet e Ukrainës për luftë. “Lufta nuk po shkon shumë mirë për Rusinë tani. Pra, është detyrë e të gjithëve ne që të mbajmë gjendje të lartë gatishmërie, vigjilencë”, u tha gazetarëve në Varshavë gjenerali i ushtrisë amerikane Mark Milley.
Reuters-it iu kërkua të mos publikonte emrin e bazës apo të përshkruante vendndodhjen e saj. Milley tha se ai nuk po sugjeronte se trupat amerikane në Evropë ishin në ndonjë kërcënim në rritje, por tha se ata duhej të qëndrojnë në gatishmëri.
“Në drejtimin e luftës, ju thjesht nuk e dini me një shkallë të lartë sigurie se çfarë do të ndodhë më pas”, tha kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit, gjenerali kryesor i Ushtrisë Amerikane Mark Milley.
Armatimet dhe pajisjet e tjera të fjalës së fundit që Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe të tjera kanë dërguar në territoret e luftës në Ukrainë, kanë bërë që prej javësh sulmi rus të zmbrapset dhe disa prej territoreve të pushtuara të merren në zotërim.
Mirëpo, këtu Perëndimi i frikësohet një kundërpërgjigje nga Rusia pasi as shërbimet e inteligjencës nuk kanë mundur të zbulojnë qartë se cila do të jetë përgjigja e radhës e Moskës.