Edhe kryeministri Edi Rama, pas 4 vitesh emigrant e artist në Paris, u kthye prej andej vetëm me 3000 USD kursime nga shitja e pikturave, ndërsa pas 12 viteve si Ministër Kulture e Kryetar Bashkie me pagë 1100 Euro, bëri saraje 2 milionë Euro. Ja çfarë tregon pasuria e deputetit të PS, Lavdrim Krashi, emigrant legal në Angli prej 27 vitesh e me 3 paga në familje, kthyer në Shqipëri në 2021
Deputeti i PS dhe pronar i “Big Market”, Vullnet Sinaj, gjatë një bisede në “Report TV” për amnistinë fiskale, tha: – Shumë të afërm e miq në Angli, më kanë kërkuar të fusin e legalizojnë në Shqipëri, të ardhurat e siguruara me punë e rrugë legale.
Dihet që punët legale e ligjore të emigrantëve mbi 20 vjeçarë në Angli, janë me të ardhura e kursime, sa për të jetuar normalisht atje, për blerë apo ndërtuar ndonjë shtëpi e për të hapur ndonjë biznes të vogël në Shqipëri apo për t’u dërguar “një dorë lekë” prindërve.
Ndërsa kursimet deri 2 milionë Euro, pa përcaktuar vite në emigracion e pa kërkuar burime fitimi, siç e përcakton Edi Rama te amnistia fiskale, sigurohen vetëm nga aktivitete kriminale.
Për këtë kategori emigrantësh e kishte fjalën deputeti i PS e pronar i “Big Market”, Vullnet Sinaj, i cili siç e ka denoncuar “Pamfleti”, vërtetoi se ka kontakte të shumta me miq e të afërm të tij e emigrant në Londër, që t’u gjejë shteg për të futur dhe pastruar milionat e zeza në Shqipëri.
SHISH dhe Anti- krimi Ekonomik, kanë info se Vullnet Sinaj i “Big Market”, para e pasi është bërë deputet, ka kaluar ilegalisht miliona të zeza emigrantësh nga Londra, Italia, Greqia e Franca.
Me ligjin e amnistisë, që deputeti Sinaj e quajt me “Standard Europian”, të afërmit e miqtë e tij, të bërë milionerë me punë ilegale në emigracion, tashmë mund t’i legalizojnë si llogari bankare, blerje pasurie, investime, hapje biznesesh e si obligacione në Bankën e Shtetit.
Për të faktuar, se ligji i amnistisë është ligj pastrimi parash korrupsioni e krimi, të maskuara si fitime nga punët e ndershme në emigracion, po bëjmë të ditur të ardhurat dhe kursimet e deputetit tjetër të PS, Lavdrim Krashi, 27 vite emigrant legal në Londër.
Sipas deklaratës pasurore, me kursimet nga punët ligjore të tij e të gruas gjatë viteve 1994-2003 në Londër, ka mundur të blejë vetëm 1 apartament 72 m2 me vlerë 32 840 USD në Shqipëri.
Pas 14 vitesh, më 12 janar 2017, me punën e tij në Bashkinë Londër 61 mijë Paund në vit, me punën e gruas në një OJF me pagë 43 mijë Paund në vit dhe me pagën komplet të djalit e me kredi bankare, ka mundur të blejnë një banesë tjetër në Londër, të cilën deri tani e ka shlyer në masën 38%.
Rasti i deputetit ish-emigrant në Angli, tregon se puna legale në emigracion nuk të siguron 2 milionë Euro kursime, mbasi do të thotë, se të ardhurat kanë qenë 15- 20 milionë Euro.
Madje edhe vetë kryeministri Rama, pas 4 vitesh emigrant në Paris, deklaroi se u kthye prej andej, vetëm me 3000 USD kursime nga shitja e pikturave e punë të tjera; ndërsa pas 12 viteve Ministër Kulture e Kryetar Bashkie me pagë 1100 Euro, ndërtoi saraje 2 milionë Euro.
Por kemi dhe të afërt, që punojnë ndershmërisht e me punë ligjore prej 25- 30 vitesh në Greqi e Itali, por askush nuk ka as 200 mijë Euro kursime e jo më 2 milionë Euro “nën dyshek”, siç thotë kryeministri në projekt ligjin e amnistisë fiskale; sepse me të ardhurat e siguruara, janë ushqyer, kanë paguar taksa, kanë shkolluar fëmijët, kanë blerë banesë, dërguar para prindërve etj.
Prandaj krijohet dyshimi i plotë, se kryeministri nuk po e bën këtë ligj special, për paratë e pastra të emigrantëve të rropatur në punë, por për të “pastruar” miliardat e atyre që i kanë siguruar me korrupsion, krime, trafiqe e “shtëpi bari”, si të afërmit dhe miqtë me të cilët ka lidhje deputeti Vullnet Sinaj i “Big Market”./Pamfleti