Bota 6 Gusht 2022, 09:23

“Paralizë katastrofike”, paralajmërimi mbi ekonominë ruse

Shkruar nga Pamfleti

“Paralizë katastrofike”, paralajmërimi mbi ekonominë ruse

Analizat se si do të ndikojë lufta në ekonominë e Rusisë janë të ndryshme. Në fillim, sanksionet ndërkombëtare bënë që rubla të bjerë ndjeshëm dhe inflacioni filloi të rritet në vend. Por, rubla rikuperoi vlerën e saj dhe vetë Presidenti rus, Vladimir Putin, pretendoi se sanksionet perëndimore kishin dështuar.

Raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) disa javë më parë vërtetoi këtë “rënie të zbutur” në Rusi. Analiza vlerësoi se produkti i brendshëm i Rusisë për vitin 2022 nuk do të bjerë aq shumë sa tregonin parashikimet: nëse më parë rënia e PBB-së ruse ishte 8,5%, tani ajo qëndron në 6%, një shifër që ka habitur shumë. Duke parashikuar vitin 2023, raporti i FMN vlerëson se ekonomia e Rusisë do të tkurret vetëm me 3,5%.

Por, disa ekspertë besojnë se në vitin 2023 ekonomia e Moskës do të vuajë pasoja të mëdha. Ian Bremmer, President i Eurasia Group, shpjegoi për CNBC se sanksionet do të shkaktojnë një “ikje truri” nga Rusia, e cila do të ndikojë në “produktivitetin e përgjithshëm, do të zvogëlojë inovacionin dhe do të ndikojë në besimin në ekonomi, duke reduktuar investimet dhe kursimet”.

Por, lajmi i keq për Kremlinin vjen nga një studim i Universitetit Yale. Ky studim analizoi të dhënat për konsumin, tregtinë dhe eksportet e vendit dhe shpjegoi se “ata që argumentojnë se ekonomia e Rusisë është rimëkëmbur, nuk bazohen në fakte. Faktet janë se, me çdo masë dhe në çdo nivel, ekonomia ruse po lëkundet”.

Pse? Sipas analizës, më shumë se 1000 kompani globale po largohen nga Rusia, gjë që po “paralizon në mënyrë katastrofike” ekonominë e vendit. “Si rezultat i tërheqjes së korporatave, Rusia ka humbur kompani që përfaqësojnë rreth 40% të PBB-së së saj, duke përmbysur pothuajse të tre dekadat e investimeve të huaja dhe duke mbështetur një largim të njëkohshëm të paparë të kapitalit dhe popullsisë në një eksod masiv të bazës ekonomike të Rusisë”, thotë Universiteti i Yale.

Bota #lufta në Ukrainë ekonomia ruse Vladimir Putin